Turqi – Javën e ardhshme fillon procesi i formimit të qeverisë


E shtunë, 4 Korrik 2015

erdo

Me zgjedhjen e Ismet Jëllmazit (İsmet Yılmaz) Kryetar i ri i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë radhën tani e ka formimi i qeverisë.

Pas një maratone 2-ditore votimi, parlamenti turk e zgjodhi Kryetarin. Tani vëmendja është përqendruar tek Pallati Presidencial.
Por fillimisht Presidenti Rexhep Tajip Erdoan do të presë formimin e Presidiumit të Kuvendit.
Planifikohet që Presidiumi të formohet javën e ardhshme.
Pastaj, sipas praktikës, Kryeministri në detyrë Ahmet Davutollu, Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), pra kryetari i partisë që ka fituar më shumë vende në kuvend, do të autorizohet për formimin e qeverisë së 63-të të Turqisë.
Kështu do të fillojë të funksionojë edhe kalendari ligjor. Sipas kushtetutës qeveria e re duhet të krijohet brenda 45 ditëve.
Në kuadër të përpjekjeve për krijimin e qeverisë së re Kryeministri Davutollu do të zhvillojë takime me partitë e tjera, ku do të kërkojë bazat e konsensusit.
Mirë po çfarë do të ndodhë nëse Davutollu nuk arrin të krijojë qeverinë e re?
Atëherë Presidenti Erdoan detyrën e formimit të qeverisë do t’ia japë Kemal Këllëçdarollusë (Kemal Kılıçdaroğlu), liderit të partisë Popullore Republikane (CHP), partia e dytë që mori më shumë vota në zgjedhjet e 7 qershorit.
Në qoftë se brenda 45 ditëve dështojnë bisedimet ndërmjet partive, atëherë Presidenti duke u konsultuar edhe me Kryetarin e Kuvendit mund të marrë vendimin për ripërtëritjen e zgjedhjeve.
Në një situatë të tillë, pas 90 ditëve, pra në muajin nëntor, populli do të shkojë sërish para kutive të votimit.