Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Turqia bëhet gati për një tubim të unitetit ndërpartiak

Prizren Post | 19:25 - 24.07.2016

Stamboll – Turqia sonte përgatitet për tubimin e parë ndërpartiak të unitetit, me qëllim dënimin e përpjekjes së grushtit të shtetit.

Parashihet që tubimi të mbahet sonte në sheshin Taksim në Stamboll, dhe është thirrur nga partia opozitare, shekullare, e qendrës së majtë, Partia Popullore Republikane, njofton AFP-ja.

Por për të dëshmuar unitetin patriotik, në tubim do të marrë pjesë edhe Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, AKP-ja, ithtarët e së cilës e kanë kthyer sheshin e qytetit në të kuqe, me flamuj të kuq të shtetit turk, që nga nata e parë e përpjekjes për grusht shteti.

Kryeministri Binali Jëlldërëm ka shkruar në Twitter: “Turq, kurdë, alevitë dhe përkrahës të partisë kryesore opozitare të bashkuar për t’u dhënë një leksion puçistëve”.

Një zyrtar i AKP-së ka thënë se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar çfarëdo problemi të mundshëm me mbështetësit e opozitës, duke theksuar se do të mundohen që “tubime si këto t’i kthejnë në një mundësi për unitet kombëtar”.

Siguria pritet të jetë e lartë për shkak të sulmeve të kryera nga ISIS-i dhe militantët kurdë javë më parë. /tesheshi/


Arivisti Company