Turqia: Nëse nuk kujtohet Sebrenica do të vazhdojnë masakrat në Siri


E enjte, 14 Korrik 2016

kalin

Ankara – Zëdhënësi i Presidencës turke, Kalin tha se dështimi në masë të madhe i sistemit ndërkombëtar hapi rrugën për vrasjen e mbi 8 mijë meshkujve dhe fëmijëve boshnjakë.

Zëvendës sekretari i Përgjithshëm dhe zëdhënësi i Presidencës turke Ibrahim Kalin ka paralajmëruar se “nëse komuniteti global nuk kujton se si heshtja e thellë hapi rrugën për masakrën në Sebrenicë, masakra të ngjashme do të vazhdojnë të ndodhin edhe në Siri”, raporton Anadolu Agency (AA).

Kalin, në një artikull për gazetën Daily Sabah me temë: “Nga Sebrenica në Siri: Mësimet e pa marra” ka rikujtuar se kanë kaluar 21 vite nga gjenocidi në Sebrenicë në lindje të Bosnjë e Hercegovinës i cili ndodhi para syve të Kombeve të Bashkuara.

Ai tha se dështimi në masë të madhe i sistemit ndërkombëtar hapi rrugën për vrasjen e mbi 8 mijë meshkujve dhe fëmijëve boshnjakë në një mënyrë aspak ndryshe nga gjenocidi që nazistët zbatuan kundër hebrenjve europianë në Luftën e Dytë Botërore.

“Një tragjedi e ngjashme njerëzore po ndodh në Siri e cila ka hyrë në vitin e gjashtë të luftës dhe sërish sistemi ndërkombëtar OKB, Evropa, SHBA-të dhe pjesa tjetër e botës preferon të lejojë që kjo të ndodhë para syve. Ajo që lidh Sebrenicën, masakrën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore e përjetuar në mesin e Evropës me luftën vdekjeprurëse të ditëve të sotme në Siri është dështimi i përbashkët i sistemit ndërkombëtar për ti dhënë fund luftës, terrorizmit shtetëror dhe vuajtjeve të njerëzve”, tha Kalin.

“A i kemi marrë mësimet e duhura nga gjenocidi i Sebrenicës dhe nga lufta në Bosnjë?. Po të shohim konfliktet e përjetuara që nga ajo ditë e deri më tani është shumë e vështirë që ti jepet një përgjigje pozitive kësaj pyetjeje. A janë nxjerrë para drejtësisë ata që kanë kryer këto sulme të pabesë? Edhe përgjigjja e kësaj pyetjeje është e dyshimtë”, ka shkruar Kalin.

– Masakër e ngjashme në Siri –

Duke rikujtuar se një masakër e ngjashme është kryer 20 vite më pas në Siri, Kalin tërhoqi vëmendjen se regjimi i Asadit ka masakruar mijëra njerëz në Siri duke shkelur të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare dhe duke kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Sistemi ndërkombëtar i cili duhet të mbrojë civilët në emër të politkës reale dhe balancës strategjike ndjek një qëndrim indiferent ndaj vuajtjeve dhe shkatërrimit të popullit të Sirisë. Nëse sistemi ndërkombëtar sikur të kishte ndjekur një rrugë ndryshme në vitet 1990 do të shpëtoheshin mbi 8 mijë njerëzit në Sebrenicë dhe një numër të madh të pjesës së mbetur në Bosnjë. Një tragjedi e ngjashme po ndodh edhe në Siri. Edhe sa njerëz duhet të humbasin jetën që të themi me ndërgjegje të pastër se kemi marrë dy-tre mësime nga Sebrenica pas 20 vitesh?”, ka shkruar Kalin në artikullin e tij.