Tusk paralajmëron Britaninë duke i bërë thirrjen e fundit për paktin “Brexit”


E premte, 29 Qershor 2018

Bruksel – Donald Tusk i bëri thirrjen e fundit Britanisë, të hapë letrat mbi tryezë në mënyrë që marrëveshja për “Brexit” të bëhet në kohën e duhur.

Presidenti i Këshillit Europian tha se çështjet më të vështira janë ende pa u zgjidhur, e se duhet progres i shpejtë që pakti të arrihet deri në tetor.

Aktualisht vazhdojnë bisedimet për kushtet e largimit të Britanisë nga BE-ja, që pritet marsin e ardhshëm, por temat e nxehta janë ende në diskutim, mes tyre ajo që do të ndodhë me kufirin irlandez.

Britania e Madhe thotë se të dyja palët duan që të arrijnë ritëm më të shpejtë në bisedime, por kryeministrja britanike Theresa May nuk solli ndonjë gjë të re në samitin e kësaj jave në Bruksel, i fundit para tetorit.

Madje, May nuk ka bindur ende kabinetin e saj për planin e marrëdhënies së ardhshme me Unionin.

“Brexit” duket si një ekuacion me shumë të panjohura, pak muaj para se të arrihet afati përfundimtar, e duket se kjo shtuy Donald Tuskun t’i bëjë Londrës thirrjen e fundit.

Në mbyllje të Samitit të BE-së për emigracionin, Tusk tha se ka shumë punë për të bërë, duke llogaritur që temat kyçe janë ende pa zgjidhur. Tusk ishte një prej krerëve të BE-së që kërkoi më shumë qartësi nga kryeministrja britanike, e cila u largua nga samiti para se 27 vendet e tjera të BE-së të diskutonin për “Brexit”.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker tha se Londra duhet të bëjë të qartë pozicionin e saj dhe se Brukseli nuk ka pse pranon një qeveri të ndarë. “Të na thonë çfarë duan dhe ne do të përgjigjemi”, deklaroi Juncker, njofton TCH.

Etiketa: , , ,