U prezantua “Dita e Kulturës Çame” në Ferizaj


E enjte, 19 Qershor 2014

ferizaj

Në kuadër të manifestimit “ Ditët e Kulturës”, të mërkurën në Ferizaj është shënuar “ Dita e Kulturës Çame”, kulturë kjo e cila u tha se është pjesë e kulturës shqiptare dhe si e tillë ajo mbart dhe trashëgon tiparet dhe vlerat e kulturës shqiptare në tërësi.

Programi u përcoll me recitime poetike për Çamërinë. Nismëtar për ta sjellë këtë program në Ferizaj, ishte shkrimtari dhe veprimtari i kulturës çame, Namik Selmani, të cilin me këtë rast e shqetësoi fakti se në këtë qytet nuk u shfaq interesim për të njohur vlerat e kësaj kulture.

Drejtori i kulturës në Ferizaj, Enver Haliti, theksoi se veçori të përbashkëta të Kosovës dhe Çamërisë padyshim janë vuajtjet shekullore.

Sipas tij, kjo ka bërë që në kuadër të këtij manifestimi të organizohet edhe një aktivitet i cili pasqyron anën shpirtërore të kësaj pjese të kombit.

“Dita e Kulturës Çame” në Ferizaj solli edhe filmin dokumentar të Kujtim Gjonajt, “Ëndrra e Çamërisë”. Në teatrin e Ferizajt, gjithashtu u hap ekspozita me fotografi “Çamëria rron” e autorit Namik Selmani. Për kontributin e dhënë të ditëve të kulturës në Ferizaj, shkrimtari Nami k Selmani u nderua me mirënjohje nga drejtoria komunale e Kulturës./rtk/