U promovua antologjia “Illiricum” në gjuhën gjermane


E shtunë, 5 Tetor 2013

Vjenë, 5 tetor – Lidhja e Krijuesve dhe Shkrimtarëve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu” (LKSHSHA) edhe pse me një jetë më pak se dy vjet, po arrin suksese të vazhdueshme në afirmimin e krijimtarisë artistike e letrare.

Fryti kulmor është antologjia “Illiricum”, e cila u promovua me sukses me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar, duke krijuar një interesim tek vendorët dhe shoqatat kulturore të kombeve tjera. Kjo solli aktivite të shumta në kontaktet dhe leximet letrare në disa qytete në Austri dhe jashtë saj. Njëra nga sukseset e fundit ishte kontakti me Shoqatën e Shkrimtarëve PEN-Club, me seli në Vjenë, kryetar i së cilës është shkrimtari i njohur në botë, Helmuth A. Niederle. “Është kënaqësi që po hapim sonte një mbrëmje promovimi të krijuesve shqiptarë këtu në Austri. Ne do jemi të gatshëm në përkrahjen e aktiviteteve dhe pjesëmarrjen në shfaqjet në vazhdimësi”, tha Niederle. Si njofton albinfo, kryetari i “Aleksandër Moisiut” në Austri, Besim Xhelili falënderoi PEN-Clubin për pritjen dhe përkrahjen në aktivitetet e përbashkëta. Ai foli edhe mbi historikun e Lidhjes “Aleksandër Moisiu”. “Lidhja e jonë ka një histori të shkurtër, më pak se dy vjet, por kemi bërë hapa të mirë në bashkimin e krijuesve nga shumë lëmë krijimi dhe nga disa qytete të Austrisë. Para pak muajsh ishim 18 anëtarë të rregullt, tani në ‘Illiricumi në gjermanisht jemi 26 anëtarë. Shpresojmë se Lidhjes sonë do i bashkëngjitën edhe krijuesit tjerë nga gjithë Austria”.

Rreth botimit në gjermanisht foli Anton Marku, i cili falënderoi të gjithë krijuesit dhe donatorët, në veçanti përkthyesin Kurt Gostenschnigg, kurse ky i fundit shprehu kënaqësinë që ndihmon në ofrimin e lexuesve austriak një antologjie të krijuesve shqiptarë në Austri.

Në antologji prezantohen shkrimtarë, poetë, piktorë, skulptorë, publicistë nga e gjithë Austria dhe nga Hungaria. Pjesën hyrjes të “Illiricum” e shkroi shkrimtari i mirënjohur austriak Helmuth Niederle, i cili mes tjerash shkruan: “Lidhja e Krijuesve ‘Aleksandër Moisiu’ dhe PEN-Clubi kemi gjetur gjuhën e kontakteve me njëra tjetrën. Si gur i parë i themeleve të marrëdhënieve tona është antologjia ‘Illiricum’, e cila ka mbledhur krijime nga autoret e autorët të cilët gjetën në Austri atdheun e tyre. Ata që nuk e kuptojnë gjuhën e krijuesve, me të cilët ndajmë përditshmërinë, dhe ëndërrojnë në një gjuhë tjetër, tani i kemi të përkthyera edhe në gjermanisht”.

Poetja e re, Edona Ramadani me shije e udhëhoqi mbrëmjen duke qenë edhe vet lexuese e tri poezive të saj tani edhe në gjermanisht. Nga krijimtaria e tyre lexuan krijuesit: Kurt Gostenschnigg, Besim Xhelili, Anton Marku, Ragip Dragusha, Hazir Mehmeti. Piktori nga Linzi, Gazmend Freitag, ekspozoi eksponate të bukura nga pikturat e tij në grafikë. Ato ia shtuan vlerat mbrëmjes ku morën pjesë miq austriak, intelektual, studentë dhe veprimtarë nga radhët e mërgimtarëve tanë.

Botimin në gjermanisht e mundësuan donatorët: Dhoma Tregtare e Austrisë me presidenten Frau Brigitte Jank, Arbër Marku; Mair e Nderim Istrefi, Argtim Hani, Samed Vinca, Restorant “Sole”, me pronar Aki Nuredini, “Fenster-Türen”,”Megi-Bau”, “Kafe Safari”, agjencia “Luli” etj.