Urimi i Myftiut të Kosovës për Kurban Bajram


E hënë, 14 Tetor 2013

Të nderuar vëllezër e motra besimtarë!
Nesër është dita e parë e festës së Kurban – Bajramit, ndaj më lejoni që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, organeve dhe institucioneve të saja, dhe në emrin tim personal t’ju uroi për festën e Kurban – Bajramit, me dëshirat më të mira për shëndetin dhe lumturin tuaj dhe familjeve tuaja.

Të dashur besimtarë!
Edhe në këtë festë dashuria ndaj Allahut xh. sh. manifestohet përmes Haxhit dhe prerjes së Kurbanit ku Ibrahimi a.s. dhe Ismaili gërshetuan dashurin mes babait dhe të birit e cila u reflektua me bindjen e thellë në Allahun Një dhe porosit e Tij.
Në këtë Botë ku jemi në kërkim për tu afruar më shumë te Allahu dhe çdo gjëje hyjnore, të vërtetës dhe të mirës, ku jemi në kërkim të vazhdueshëm të gjetjes së lartësisë shpirtërore në atmosferën e Haxhit dhe Kurbanit ku kërkohet mëshirë për të gjithë njerëzit, mirëqene dhe bashkëpunim ndër njerëzor, duke reflektuar ndjenjën e bashkëpunimit dhe dashurisë e respektit ndërmjet vete.
Kurani libri i fundit i Allahut mbështet konceptet e moralit, dashurisë, mëshirës, përkushtimit, ndihmës, solidaritetit e sakrificës. Ndaj Allahu xh. sh. përmes Haxhit dhe Kurbanit na ofroi edhe më shumë te vetja,na aktivizoi ndjenjat e mëshirës të cilat mundësojnë të kuptojmë përgjegjësit ndaj vetës dhe atyre përreth nesh. Përmes kësaj ndjenje kuptojmë edhe atë që është në nevojë, skamnorin, jetimin, të pa aftin për punë, të shtyrët në moshë, të cilëve e kemi për obligim që t’iu shtrim dorën e ndihmës, derisa simbolika e kësaj feste është edhe prerja e Kurbanit mish i të cilit duhet të arrijë në sofrat e atyre që kanë nevojë.

Allahu xh. sh. thotë:
“Adhurojeni Allahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, silluni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqiut të afërt, ndaj fqiut të largët, ndaj shokut pranë vetes, ndaj udhëtarit të largët dhe ndaj robërve. All-llahu nuk e do atë që është kryelartë dhe atë që lavdërohet”.( En-Nisa:36).

Dëshiroi edhe me këtë rast t’ju përkujtoj se festat tona mund ti bëjmë edhe më madhështore duke kultivuar marrëdhënie të mira fqinjësore, duke i tejkaluar mos marrëveshjet eventuale mes nesh, duke qenë të mëshirshëm ndaj fëmijëve jetim, ndaj familjeve të varfra, skamnorëve dhe duke respektuar të vjetrit, sepse këto janë parime Islame, që burojnë nga Kurani dhe thëniet e Muhamedit a.s.
Kështu arrijmë kënaqësinë e Allahut ngase vlerat e kësaj feste mishërojnë moralin e fesë te Zoti i cili reflektohet përmes mëshirës,dhembshurisë, drejtësisë, ndershmërisë, faljes, përkushtimit, sakrificës dhe durimit. Ndaj besimtarit i takon të sillet mirë dhe të rrezatoi mirësi.

Të dashur besimtarë!

Sofra e Bajramit është simbol që bashkon dhe ofron familjet mes vete, shton respektin dhe nderin mes besimtarëve, shton dashurin ndaj Krijuesit, rikujton falënderimin e vazhdueshëm që duhet të bëjmë për të mirat e dhuruara nga i Madhi Zot, i Cili thotë.
“Ne, vërtet të dhamë ty shumë të mira. Andaj ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd!”. (El-Kevther:1-2.)
Shumë familje në Kosovën e pas luftës kanë nevojë për ndihmën tonë edhe gjatë kësaj feste, përmes kësaj ndihme sado pak të ndikojmë në kthimin e buzëqeshjes së humbur te këta fëmijë pa fajin e tyre. Ti bëjmë ata të ndihën mirë bile gjatë kësaj feste.
Ruajtja e paqes së përbashkët është parim fetarë, është përgjegjësi e të gjithëve, megjithatë shumë nga fëmijët e vendeve të ndryshme neper botë ku sot mungon paqja, nuk mund ti gëzohen festës së Kurban – Bajramit, për shkak të dhunës e luftës. Sytë e këtyre fëmijëve janë përplot lot e frikë, dhunë, tortura e presion. Lusim Allahun xh. sh. që të largoi çdo kërcim që e vështirëson sigurinë dhe paqen, dhe në botën mbarë të mbretëroi paqja dhe harmonia mes njerëzve.
Në fund më lejoni që edhe njëherë tua uroi festën e Kurban – Bajramit të gjithë vëllezërve e motrave tanë si në Kosovë, brenda trojeve tona etnike, si dhe diasporës kudo që ata gjenden.
E lus Allahun xh. sh. t’i mëshiroi t ë gjithë ata që jetën e tyre ia falën Zotit për fenë dhe atdheun e tyre.
Me fat ju qoftë festa e Kurban Bajramit!

Myftiu i Kosovës
Mr. Naim Tërnava