E shtunë, 21 Shkurt 2026

Vendimi i Gjykatës Supreme të SHBA-së kundër përdorimit të tarifave nga Presidenti Donald Trump shënon një pengesë ligjore për përdorimin e taksave tregtare si armë ekonomike, por analistët thonë se ai ofron pak lehtësim të menjëhershëm.
Pritet një tjetër periudhë konfuzioni në aktivitetin ekonomik, pasi Trump pritet të kërkojë mjete të tjera për të zëvendësuar tarifat që u shpallën të paligjshme. Mbeten shumë pasiguri, përfshirë tarifat e reja që administrata do të tentojë të vendosë dhe mundësinë e rimbursimit të taksave të anuluara.
Si përgjigje e menjëhershme, Trump njoftoi tarifa të reja globale prej 10 për qind për një periudhë 150-ditore. Varg Folkman, analist në Qendrën e Politikave Evropiane, parashikon një epokë të re pasigurie, ndërsa ekonomistët e ING vlerësojnë se, pavarësisht vendimit, “ndërtesa” e tarifave do të mbetet në këmbë.
Vendimi prek specifikisht tarifat e bazuara në Aktin IEEPA, të cilat deri më tani kanë mbledhur mbi 175 miliardë dollarë. Ndonëse teknikisht kjo ul tarifën mesatare të ponderuar të SHBA-së nga 15.4 për qind në 8.3 për qind, administrata ka paralajmëruar përdorimin e mjeteve të tjera ligjore për t’i rivendosur ato.
Një tjetër pikë kritike është fati i marrëveshjeve dypalëshe. Mbi 20 vende që pranuan tarifa ose investime për të shmangur konfliktin, tani po vlerësojnë nëse mund të rinegociojnë. Bernd Lange, nga Parlamenti Evropian, u shpreh se epoka e tarifave arbitrare mund të jetë drejt fundit, ndërsa Britania pret që pozicioni i saj i privilegjuar të vijojë.
Nga ana tjetër, ekonomia globale ka treguar elasticitet. FMN parashikon një rritje prej 3.3 për qind për vitin 2026, ndërsa Kina raportoi suficit rekord në 2025-ën, duke u përshtatur përmes eksporteve në tregje jo-amerikane.
Megjithatë, ekspertët e Institutit Bruegel paralajmërojnë se marrëveshje si ajo BE-SHBA mund të prishen nëse vendet ndihen se kanë marrë anën e dobët të shkopit. /tesheshi.com/
Burimi: tesheshi
