Vesa Ibrahimi karateiste e vitit 2015


E mërkurë, 10 Shkurt 2016

vesa-ibrahimi

Vesa Ibrahimi gjilanasja që ka lindur në Zagreb të Kroacisë (25.12.2001), është nxënëse e klasës VIII/2 në shkollën fillore “Abaz Ajeti” në Gjilan, ku përveç që është nxënëse e dalluar në mësime, dallohet edhe në sport, pasi ajo për vitin 2015 është përzgjedhur karateistja më e mirë në Kosovës për grupmoshat e reja.


Ismet Azizi

Vesa që nga shtatori i vitit 2010 ushtron sportin e karatesë dhe është anëtare e klubit të karatesë “Drita” i cili është i themeluar në vitin 1972 dhe i cili njëherësh është klubi më i vjetër i karatesë në Komunën e Gjilanit si dhe një ndër klubet më të vjetra të karatesë në Kosovë.

Vesa për një kohë të shkurtër në sportin e karatesë tregon shkathtësi të larta dhe brenda këtyre 5 viteve sa merret me karate arrin të bëhet kampione e katërfishtë e Kosovës, kampione e dyfishtë mbarëkombëtare, kampione e katërfishtë e turneut mbarëkombëtarë “Adem Jashari”, nënkampione botërore në WSKU-së, nënkampione evropiane e dyfishtë në WSKU, nënkampione e kupës së botës në WSKU, nënkampione evropiane në IMAF, etj.

Që nga viti 2011 merr pjesë edhe nëpër gara të karatesë si nëpër Kosovë po ashtu edhe nëpër Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri, Serbi dhe në shtet të tjera të rajonit ku po ashtu ka arritur rezultate kulmore. Për nga numri i medaljeve të fituara nëpër këto gara ajo i është ofruar numrit 100.

Vesa Ibrahimi edhe pse në moshë është akoma e re, ajo 4 viteve të fundit është një ndër karateistet më të mira për grupmosha të reja në Kosovë. Vesa, për rezultatet e arritura në vitin 2015 nga Federata e Karatesë së Kosovës shpallet zyrtarisht karateistja më e mirë në Kosovë për grupmosha të reja.

“Kam shumë njerëz që janë meritorë për suksesin tim, por do veçoja prindërit e mi, trajnerin tim të pare Idriz Musliu, dy ish trajnerët e mi Selami Haziri dhe Agron Tosuni dhe trajnerët e mi te tanishëm Blerim Hajdari dhe Hazir Mustafa. Secili në mënyrën e vet ka bërë që unë sot të jem këtu ku jam. Me këtë rast i falënderoj dhe gjithmonë do të kenë respektin dhe mirënjohjen time për mundin e tyre” thotë Vesa tejet modeste.

Kujdestarja e klasës profesoresha Hanumshahe Zeka është tejet e kënaqur që në klasën e sajë ka një nxënëse çfarë është Vesa Ibrahimi. “ Vesa është e veçantë. Dallohet nga nxënësit tjerë si për nga kultura, sjellja, por edhe për nga suksesi. Është shembullore në çdo aspekt”.
Të gjithë shoqet dhe shokët e sajë, i gëzohen sukseseve të Vesës në garat sportive, Ata shpresojnë se shumë shpejt Vesa do t’i përfaqësojë edhe në arenën ndërkombëtare , jo vetëm ata, por sportistët mbarëkombëtarë.