Vetëvendosje ka alternativë për një Republikë ndryshe


E mërkurë, 2 Prill 2014

Prishtinë, 2 mars – Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka prezantuar disa pika të programit qeverisës të quajtur “Alternativa qeverisëse”.

Kurti tha se vetëm me një shtet të së drejtës, shtet zhvillimor dhe social, Kosova mund të quhet njëmend Republikë.

Në një konferencë për media, Kurti tha se politika e Vetëvendosjes është bashkimi i Mitrovicës dhe bashkimi kombëtar, dhe se mbi ligjin nuk do të jetë askush.

“Politikat tona shtetërore do të jenë politika për bashkimin e Mitrovicës e të kombit. Ne kemi paraparë një sërë hapash në këtë drejtim dhe unë po i them disa prej tyre. Bashkimi doganorë drejt tregut të përbashkët, komision të përhershëm ndërqeveritarë në sektorët e mbrojtjes, punëve të jashtme dhe zhvillimit ekonomik”.

“Ne as bashkimin e Mitrovicës e as atë kombëtar nuk i shohim kundër serbëve, përkundrazi jemi të bindur që të drejtat e tyre duhet të respektohen në mënyrë të pakompromis, mirëpo integrimin e pakicave e shohim si integrim përmes barazisë në shoqëri”.

“Me qeverisjen e Vetëvendosjes ligji nuk do të jetë ligj në letër, por do të jetë ligj në realitet, pra jo ligj për hirë të vetvetes, por ligj për hir të drejtësisë dhe barazisë. Ne nuk do të lejojmë që askush për asjë moment, në asnjë situatë të jetë mbi ligjin”.

Duke folur për fusha të ndryshme, Kurti premtojë se në qeverisjen e Vetëvendosjes do të ulen tatimet dhe pensionet e detyrueshme do të jenë 250 euro.

”Tatimi progresiv është tatim i drejtë. Ne parashohim që me qeverisjen e Vetëvendosjes të bëjmë uljen e tatimit për ata që paguhen më pak se 500 euro, zero tatim për ata që paguhen më pak se 170 euro dhe të ardhurat mbi 1700 euro të tatohen me 30 përqind”.

“TVSH-ja do të jetë zero për bukën, vajin, kripën, sheqerin, qumështin dhe librat,që do të thotë se të gjitha artikuj do të lirohen”.

“Ne një vëmendje të veçantë ja kushtojmë pensionistëve, me ç’rast brenda mandatit tonë qeverisës, pensioni minimal bëhet 150 euro ndërkaq ai obligativ 250 euro”.

Duke folur për sektorin e bujqësisë, Kurti premtoi se në vitin e parë të qeverisjes, Vetëvendosje do të investojë 60 milionë në këtë fushë. Ai poashtu tha se minierën e Trepçës, gjatë mandatit katër vjeçarë do të investohen 300 milionë euro.

“Bujqësia është një motor për zvogëlimin e papunësisë dhe të importeve. Ne parashohim rritjen e buxhetit për bujqësi 60 milionë euro në vitin e parë, 120 milionë euro në vitin e tretë me ç’rast 65 përqind e buxhetit të jenë subvencione, e 35 përqind grade për zhvillim rural”.

“Mendoj se është i domosdoshëm sovraniteti ekonomik. Këtu parashohim rivitalizimin e Trepçës, me ç’rast do të ketë investime të minierës me 300 milionë euro në katër vitet e mandatit. Synimet tona janë 50 mijë tonë zing në vit dhe 60 mijë tonë plumb në vit”.

Shëndetësia publike do të jetë pa para dhe po ashtu do të krijohet sigurimi shëndetësor publik.

Kurti tha se njerëzit e Vetëvendosjes i bashkon ky koncept sepse ai mendon se me këtë koncept Republika do të jetë ndryshe.

“Na bashkon koncepti politik na bashkon alternativa qeverisëse, fitorja e së cilës dhe zbatimi i saj nuk duhet të jetë thjeshtë njëra nga mundësitë për të cilën mund ta kemi luksin që të mos realizohet, por është një domosdoshëmri për të gjithë qytetarët”.

“Jam i bindur që në ecjen tonë parapara ne do të jemi bashkë në këtë koncept dhe këtë alternativë sepse Lëvizja jonë është një alternativë për një Republikë tjetër fare, për një transformim të shtetit, për një shtet ku do të kemi prodhim dhe jo vetëm konsum, për një shtet ku do të ketë drejtësi dhe jo korrupsion dhe për një shtet i cili do të ketë edhe sovranitet politik e ekonomik”./zhurnal/

Etiketa: , ,