Vjosa para deputetëve të Shqipërisë: Ne ju jemi mirënjohës përjetë


E enjte, 17 Dhjetor 2020

TIRANË – Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani sot iu ka adresuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa tha se qytetarët e Kosovës i janë mirënjohës përjetë shtetit shqiptar.w

Osmani para të zgjedhurve të popullit në Shqipëri tha se është nder i madh të mbajë fjalim në Kuvendin e Shqipërisë dhe të flas ashtu siç njeriu i flet familjes së vet, me të cilën ka ndarë aq shumë histori, dhimbje e mall.

“Është nder i madh t’ju drejtohem dhe t’ju flas ashtu siç i flet njeriu familjes së vet, me të cilën ka ndarë aq shumë histori, këmbëngulje, dhimbje e mall të pasosur por së cilës i ka dhuruar e ka marrë aq shumë dashuri. Shqipëria është jo vetëm atdheu i bashkëvëllezërve dhe bashkëmotrave tona, por është ëndrra jonë e përbashkët, është kujtesa jonë historike, vatra të cilën ëndërronim të jetonim por që fatkeqësisht shumë prej nesh e takoi vetëm në acarin e luftës së ftohtë, e megjithatë ajo u bo vatra jonë, shtëpia e zemër-bujarëve shqiptar që na mbajtën gjallë dhe shpresën për liri”, tha ajo.

“Ne ju jemi mirënjohës përjetë”, iu drejtua Osmani deputetëve të Shqipërisë.

“Lidhjet shpirtërore për shkak të rrënjëve etnike po thellohen dhe komunikimi po na ofron më shumë me njëri tjetrin. Ecin krahas njëra-tjetrën dhe janë bërë faktor stabiliteti në rajon…”, tha ajo më tej.

“Duhet ta kujtojmë të kaluarën tonë të përbashkët, mundin dhe sakrificën e brezave të tërë për të ardhur në këtë ditë. Këtu na solli sakrifica e një populli të tërë, përkushtimi për lirinë dhe gjaku i derdhur i mbi 13 mijë të vrarëve, shumica nga këta gra pleq e fëmijë…”, tha ajo

“Do të flas me këtë zë dhe do të kërkoj fort që historia e dhimbshme e Kosovës, sikur është e gjithë historia jonë kombëtare të mbahet në mend e të rikujtohet, sepse duke rikujtuar atë ne njohim vlerën dhe bëhemi më të urtë dhe të drejtë në vendimet tona”.

“Pavarësia e Kosovës vërtetë e ka vulosur jo vetëm fatin tonë por edhe të Ballkanit…. E kuptojmë çfarë do të thotë të rritesh në një regjim shtypës e të dhunshëm, që rrënjët etnike janë përdorur për të qenë të shtypur dhe të vrarë”, tha më tej ushtruesja e detyrës së presidentes, raporton Telegrafi.

Etiketa: , ,