VMRO-PP: Përse Matevski fshehu kaq gjatë se është shqiptar?


E mërkurë, 12 Qershor 2013

Partia VMRO-Popullore ka reaguar një ditë pas dekorimit të akademikut Mateja Matevski me Medaljen e Artë për Merita, nga ana e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Kjo parti është shprehur e befasuar nga pranimi i akademikut se është me prejardhje shqiptare, ndërsa ka pyetur publikisht atë – përse është dashur të fshihet për 73 vite origjina e tij?

“Përse ka pasur nevojë që një intelektual i njohur në 50 vite komunizëm dhe në 23 vite të tjera në demokraci, të fshehë ndjenjën dhe përkatësinë e tij kombëtare? Ky veprim i virtytshëm vërteton përfundimisht se nuk është diçka në rregull në shoqërinë maqedonase dhe se duhet të rishqyrtojmë seriozisht të ashtuquajturin ‘maqedonizëm’, dhe të pranojmë dhe zbatojmë parimet e demokracisë drejt së cilës po synojmë”, thuhet në reagimin e VMRO-Popullore.

Sipas kësaj partie, akti i pranimit të origjinës shqiptare nga ana e akademikut, përbën në fakt “braktisje e maqedonizmit antik të promovuar nga pushteti aktual”.