E diel, 21 Maj 2017
Megjithëse formalisht e drejta dhe mundësia për pjesëmarrje në votim iu njihet me ligj, praktikisht ju bëhet e pamundur për shkak të afatit të shkurtër për regjistrim dhe mungesës së informimit të votuesve për mënyrën e regjistrimit dhe votimit, transmeton Koha.net.
Ngjashëm si në zgjedhjet e kaluara, periudha e regjistrimit prej 15-22 maj është tejet e shkurtër për t’u njoftuar, përgatitur dhe dërguar dokumentacionin e nevojshëm për të gjithë ata që janë të interesuar të votojnë përmes postës. Edhe më të pamundur e bënë fakti që gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur gati se fare fushatë zyrtare të informimit të qytetarëve jashtë vendit mbi mënyrat, afatet dhe kushtet e regjistrimit për të votuar. Procesin e regjistrimit edhe ashtu e ka dëmtuar edhe më shumë fakti se gjatë gjithë kohës ka pasur njoftime deri në konfirmimin zyrtar se email adresat zyrtare të KQZ-së, në të cilat dërgohen aplikacionet kanë pasur probleme teknike deri në mosfunksionim të plotë me orë të tëra.
Prandaj, duke pasur parasysh të gjitha këto, kërkojmë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që në përputhje me përgjegjësitë e saj dhe mbështetur në parimet dhe standardet më të mira ndërkombëtare për një proces gjithëpërfshirës dhe ku e drejta e votës garantohet dhe u mundësohet të gjithë votuesve , kërkojmë që afati i regjistrimit të votuesve jashtë vendit, që është vendosur të përfundojë me 22 maj, të shtyhet deri me 25 maj 2017, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.