E enjte, 12 Qershor 2014
Bagdad – Pas Mosulit, xhihadistë të Shtetit Islamik në Irak e Levant janë nisur për ta marrë nën kontroll edhe Bagdadin. Ata janë më pak se 100 kilometra larg kryeqytetit irakian, dhe tashmë e kanë marrë nën kontroll Dhuluijan, 90 km në veri, kanë treguar një kolonel i policisë dhe banorët.
Kjo ofensivë e re e tyre e detyron Këshillin e Sigurimit të mblidhet sot dhe e ka shtyrë Washingtonin të shqyrtojë mundësinë e bombardimeve nga ajri.
Zëdhënësi i Shtetit Islam, Abu Mohammed al-Adnani, u ka bërë thirrje kryengritësve që të “marshojnë në Bagdad” dhe ka kritikuar kryeministrin irakian Nouri al-Maliki për “paaftësi”, në një audio-incizim të së mërkurës.
Përballë këtij përparimi të luftëtarëve të Shtetit Islamik në Irak e Levant rreth gjysmë milioni njerëz janë kanë ikur nga shtëpitë e tyre.
Që nga e marta, këta luftëtarë kanë marrë nën kontroll qytetin e dytë të Irakut Mosulin (në veri), por edhe provincën e Ninivit si dhe zona në dy provincat ngjitur, Kirkuk e Salaheddin, me shumicë sunite.
Të mërkurën, ata kanë marrë nën kontroll Tikritin, 160 km në veri të Bagdadit. Ndërsa, sipas dëshmitarëve, janë përpjekur më kot ta marrin Samarran, nja njëqind kilometra larg Bagdadit.
Ndërkohë që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mblidhet sot pasdite për ta diskutuar situatën në Irak, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ka bërë thirrje për solidaritet ndërkombëtar me Irakun dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe të pa kusht të pesëdhjetë shtetasve turq të marrë peng në konsullatën e Mosulit.
Kurse, ministri turk i Punëve të Jashtme, Ahmet Davutoglu ka kërcënuar Shtetin Islamik në Irak e Levant me “kundërpërgjigjen më të ashpër” nëse ndonjërit prej tyre u ndodhë e keqja më e vogël.
Ndërsa, Irani shiit, por edhe Shtetet e Bashkuara, i kanë ofruar mbështetje qeverisë së Nouri al-Malikit përballë “terrorizmit”.