Yildirim: Në Parlamentin gjerman u vulos një gënjeshtër historike


E premte, 3 Qershor 2016

yildirim

Baku – Kryeministri i Turqisë Binali Yildirim lidhur me rezolutën e miratuar në Parlamentin gjerman për pretendimet armene, theksoi se në parlamentin gjerman u mor një vendim fatkeq, raporton Anadolu Agency (AA).

“U vulos një gënjeshtër historike. Kjo nuk ka asnjë kuptim dhe vlefshmëri për ne dhe popullin turk, sepse ne besojmë që historia duhet lënë në duar të historianëve. Vulosja e një rezolute të këtillë nga Parlamenti gjerman në lidhje me një çështje për të cilën madje edhe historianët nuk pajtohen dhe kanë divergjuar nga njëri-tjetri, si dhe ka vendime të ndryshme në gjykatat ndërkombëtare, është fatkeqësi e madhe. Kjo rezolutë i ka goditur dhe dëmtuar fuqishëm marrëdhëniet turko-gjermane të cilat kanë rrënjë të thella. Shpresojmë që sa më parë të hiqet dorë nga ky gabim”, tha Yildirim.

Kryeministri turk gjithashtu u shpreh se “Është dyfytyrësi që përderisa miratohet kjo rezolutë, neglizhohet tmerri që po përjetohet në tokat azere. Pse këto shtete nuk e fusin në rend dite masakrën në Hocali që në histori njihet si nata e zezë?. Edhe kjo ishte një gjenocid, edhe kjo ishte masakër, ndërkohë që nuk bëhet aspak e madhe. Për këtë arsye, po e shohim qartë se sërish po luhet me standarde të dyfishta”.

“Në fakt, Gjermania ka qëllim që përmes një mundësie të këtillë në parlament ta fshijë gabimin dhe turpin e vet historik duke synuar shmangie”, tha Yildirim, duke vlerësuar më tej se “Kur i hapim defteret e së kaluarës, e shohim se vendet të cilat kanë më shumë llogari janë vendet perëndimore. Sa i përket kësaj, historia e Turqisë është mjaft e qartë dhe e hapur. Në ato deftere të vjetra, ne jemi në rendin e fundit”.