Ymeri: Kur të qeverisim ne do të ketë liri të plotë mediale


E shtunë, 12 Nëntor 2016

visar-ymeri

Prishtinë – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, është përpjekur të arsyetojë deklaratën e djeshme të bashkëpartiakut të tij, Hysen Durmishi, i cili ka sulmuar rëndë mediat.

Ymeri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nuk e arsyeton as nuk e mbron qëndrimin e Durmishit, i cili dje ka thënë se kur të vijë në pushtet Vetëvendosja do t’i tërheq zvarrë gazetarët.

Postimi i plotë i Ymerit:

“Kur e humbet një bashkëveprimtar, një shok shumë të mirë siç ishte Astriti, pikëllimi dhe revolta bëhen të pashmangshme. Ka momente kur secili nga ne, shokët dhe shoqet e Astritit, nën këtë pikëllim e revoltë mund të bëjmë deklarata që nuk përputhen me atë për të cilën në të vërtetë qëndron dhe përpiqet Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Në këtë drejtim e kategorizoj edhe statusin e djeshëm të Hysen Durmishit. Me këtë as nuk dua ta arsyetoj e as ta mbroj Hysenin. Nuk pajtohem me qëndrimin e tij. Tërheqja zvarrë e asnjë mediumi nuk është mjet për të cilin angazhohet VETËVENDOSJE! Lufta jonë politike është kundër regjimit kriminal që i ka kriminalizuar institucionet shtetërore përmes kapjes.

Njëkohësisht jam absolutisht kundër mënyrës se si media të caktuara e keqkuptojnë dhe keqpërdorin lirinë e shprehjes. Mediet që shpifin dhe rëndojnë poshtërsisht familjen Dehari dhe shokët e shoqet e Astritit, duhet të kenë parasysh ligjet dhe kodet etike të gazetarisë. Kjo do të ishte në të mirën e vetë gazetarisë dhe lirisë së medies.

Liria e medieve është një nga shtyllat e programit tonë dhe tentimet për kufizim të kësaj lirie nga pushteti, janë vazhdimisht në qendër të kritikave tona. Në Kosovën që do të qeveriset nga VETËVENDOSJE! do të ketë liri të plotë mediale, ngase nuk mund të ketë demokraci të vërtetë pa qenë e garantuar e drejta e qytetarëve që të informohen drejt.” (sic.), ka shkruar Ymeri.