Ymeri: Nuk do të ndalemi deri në rrëzimin e Qeverisë


E shtunë, 19 Shtator 2015

Prishtinë – Partitë opozitare nuk do të ndalen deri në anulimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë, marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi dhe rrëzimin e kësaj Qeverie. Kështu ka deklaruar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, i cili thotë se janë bashkuar në një kauzë të drejtë, për të shpëtuar Republikën nga zhbërja që po ia bëjnë partitë në koalicion në krye me Isa Mustafën si kryeministër.

Sipas tij, kundërshtimi ka nisur me nënshkrimin e peticionit, derisa shumë shpejt do të fillojnë protestat që duhet t’i tregojnë Qeverisë se jeta e saj nuk është e gjatë.

Lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri në një intervistë për KosovaPress-in, thotë se Kosova është në një proces jashtëzakonisht të rrezikshëm i cili po e rrezikon Republikën dhe në anën tjetër po e rrezikon edhe jetën e secilit qytetar për shkak se po e rrezikon pasurinë kolektive, paranë publike dhe mundësinë për mirëqenie të këtyre qytetarëve.

“Ne jemi bashkuar që ta vendosim Kosovën në binarët e mundësisë për zhvillim. Njëkohësisht jemi të vetëdijshëm dhe të vendosur që kjo gjë nuk mund të bëhet me këtë Qeveri e cila e ka dëshmuar se nuk e ka as vullnetin, as guximin, as vizionin për ta ndërtuar një Kosovë që do të ishte një Kosovë që do të jetonin qytetarët me dinjitet. Në këtë drejtim konsiderojmë që ndalimi i këtyre projekteve qeveritare dhe vendimeve që po merr kjo Qeveri është e domosdoshme për ta shpëtuar Republikën”, tha Ymeri.

Ymeri paralajmëron se nuk do të ndalen si parti opozitare të bashkuar deri në shpëtimin e Republikës së Kosovës, sepse nuk mund të ketë edhe “Zajednicë”, edhe Republikë.
“Marrëveshjet e 25 gushtit bien ndesh me Republikën, nuk mund të ketë edhe Republikë edhe Zajednicë. Dhe meqë nuk mund të ketë edhe republikë edhe Zajednicë, i bie që kushdo që është për Zajednicë është kundër Republikës. Ne jemi bërë bashkë ta kundërshtojmë Zajednicën, ta kundërshtojmë këtë nënshtrim deri diku politik të Kosovës ndaj Malit të Zi me marrëveshjen për demarkacionin dhe si të tilla, si kundërshtime do ta dërgojmë deri në shpëtimin e Republikës, që nënkupton automatikisht edhe ndaljen e kësaj Qeveria”, theksoi ai.

Ymeri tha se peticioni i cili ka filluar ka për qëllim që t’iu mundësoi qytetarëve të vendit ta shprehin revoltën e tyre për ta kundërshtuar marrëveshjen për “Zajednicën” dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Mirëpo, kreu i VV-së, thotë se ende nuk kanë vendosur për kohën se kur do të fillojnë protestat, që sipas tij, do të jenë masive dhe nuk do të ndalen deri në zhbërjen e këtyre marrëveshjeve. Megjithatë, Ymeri tha se kjo nuk do të shkoi në pafundësi.

“Tash kur do të thirren ato protesta, kur do t’i bëjmë do të njoftoheni me kohë. Aktualisht nuk kemi një datë të caktuar, mirëpo këto natyrisht se nuk mund të shkojnë në pafundësi, pra protestat do të jenë të organizuara shpejt, dhe e rëndësishme është se ato duhet të jenë edhe të vendosura dhe duhet të jenë sa me të mëdha në numër në mënyrë që Qeveria ta sheh që jeta e saj dhe vendimeve të saj nuk është e gjatë”, u shpreh Ymeri.

Por, para se të nisin protestat, për Ymerin e rëndësishme është që të bëhet e ditur te qytetarët se me këtë Qeveri dhe këto veprime e vendime të kësaj Qeverie nuk mund të ndryshohet gjendja në vend. Sipas Ymerit, ky koalicion është themeluar për ta dëmtuar Kosovën, gjë të cilën e dinë edhe vet këto dy parti.

Me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, Ymeri thotë se kryeministri Mustafa e ka vërë në pikëpyetje pavarësinë e shpallur me 2008, dhe e cila deri me arritjen e këtyre marrëveshjeve ka qenë fakt i pakthyeshëm.

“Në marrëveshjen për energjinë, tek çështja e pronësisë thuhet që Kosova konsideron se është pronare e aseteve që ndodhen në territorin e republikës, ndërkohë që Serbia konsideron që është pronare e aseteve që ndodhin në krahinën e Kosovës. dhe këtë e ka legjitimuar sepse e ka nënshkruar kryeministri i Kosovës, në vend se të thuhet që kjo është çështje fakte që nuk diskutohet, pra nuk diskutohet që Kosova është pronare ai thuhet që ky është mendimi ynë, hajde të diskutojmë mbase kemi të drejtë, mbase nuk kemi të drejt. Nuk ka të drejtë që kryeministri i Republikës, ta vë në mëdyshje Republikën që pretendon ta qeverisë. Prandaj në momentin që kryeministri, vendi ynë mbase është i pavarur, ai më nuk është kryeministër i vendit, vetvetiu Isa Mustafa ka hequr dorë nga të qenit kryeministër”, tha Ymeri.

Për kundërshtimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe demarkacionin me Malin e Zi, sipas kreut të VV-së, nuk do të ndalen pavarësisht se a e mbështesin edhe vendet e BE-së dhe SHBA-ja.
“Mendoj që pavarësisht asaj a e pranojnë apo e mbështesin, a e kanë mbështetur atë, vende të caktuara dhe diplomat të caktuar marrëveshja si e tillë është e papranueshme sepse e zhbën Republikën e Kosovës dhe e zhbën madje edhe idenë e Kosovës si një republikë dhe si të tilla janë të papranueshme”, theksoi Ymeri.

Etiketa: , ,