Zgjedhjet në Turqi dhe penxhereja turke në Ballkan


E enjte, 11 Qershor 2015
Olsi Jazexhi

Olsi JAZEXHI

1.
Zgjedhjet që ndodhën në Turqi në 7 qershor 2015 kanë shkaktuar debate dhe komente të mëdha në Turqi por edhe në Perëndim në lidhje me fatin e të parës. Mosfitimi nga ana e partisë së presidentit Erdogan të një shumice të madhe të votave, dhe fitimi nga Partia Popullore Demokratike kurde (HDP) e mbi 10% të votave në Asamblenë e Madhe Kombëtare Turke e kanë kthyer parlamentin turk në një mish mash partishë. Parlamenti i Ankarasë nuk dominohet si më parë nga AK (Partia e Drejtësisë dhe e Zhvillimit). Partia HDP, MHP (Partia e Lëvizjes Kombëtare) dhe CHP (Partia Popullore Republikane) tanimë dominojnë asamblenë kombëtare turke me 292 deputetë përkundër 258 që ka AKP-ja. Këto numra e dobësojnë pozitën e AKP-së së Erdoganit dhe nuk i mundësojnë asaj që të formojë e vetme qeverinë siç ka bërë më parë.

Dështimi i partisë së Erdoganit që të fitojë shumicën e duhur në zgjedhje i ka kënaqur klikat pushtetare dhe mediat perëndimore. Duke e parë Erdoganin dhe qeverinë e tij si islamiste dhe autokratike, mediat në Perëndim po e tregojnë rezultatin më të fundëm zgjedhor si një dështim për Erdoganin por edhe islamin politik në Turqi. Karvanit të brohoritësve për humbjen e Erdoganit i është bashkangjitur edhe ish-presidenti i Izraelit Shimon Peres, i cili deklaroi se është i lumtur për atë që ndodhi në Turqi. “Erdogani donte ta kthente Turqinë në një Iran, por në Lindjen e Mesme nuk ka vende për dy Irane”- theksoi ai.

Edhe pse në zgjedhjet parlamentare, AKP-ja ka dalë sërisht forca më e madhe politike turke, që ka fituar 40.87% të votave, dhe partia e presidentit Erdogan ka fituar më shumë vota sesa fitoi fjala bie partia konvervatore e David Kamerunit në Britani, mediat dhe qarqet sunduese perëndimore po i trajtojnë zgjedhjet turke si dështim për Erdoganin dhe kohë trazirash për vendin. Por edhe pse zgjedhjet më të fundme e kanë dobësuar dukshëm sundimin e AK Partisë në Turqi, sërisht partia e Erdoganit dhe Davutoglusë mbeten partia më e fuqishme në vend.

Megjithatë, analistët perëndimorë janë të saktë në një konstatim. Këtej e tutje Turqia do të përballet me kriza të reja identitare. Nëse në këto 13 vitet e fundit të sundimit të AK Partisë, Turqia nisi të ringjallet në politikën ndërkombëtare dhe të kthehet në një vend me rëndësi për Botën e Islamit, tani që AK Partia është dobësuar, qeveria e koalicionit që do të mandatohet nga kryeministri Erdogan nuk do të ketë më pushtetin e plotë që ajo gëzonte deri më tani kur AK Partia kishte shumicën dërrmuese të deputetëve në Asamblenë e Madhe Kombëtare Turke. Këtej e tutje parlamenti turk do të bëhet pre e allishverisheve mes deputetëve kurdë, dhe qemalistëve të MHP dhe CHP-së, të cilët ushqejnë armiqësi të madhe për pozitën islamiste.

2.
Arsyet e humbjes së AKP-së në zgjedhjet e fundit janë të shumëllojta. Edhe pse qeveritë që drejtoi Erdogani dhe Davutogluja në vitet e fundit i kanë hapur mundësi të shumta zhvillimi Turqisë, kanë sjellë biznese dhe fonde të ndryshme në vend, e kanë hapur Turqinë me botën, kanë kufizuar rrolin e ushtrisë, dhe e kanë kthyer vendin në një destinacion turizmi mbarëbotëror dhe në një qendër industriale me rëndësi në Mesdhe, ato kanë patur edhe të metat e tyre. Partia e AKP-së është akuzuar në mediat vendase për arrogancë, korrupsion, dhe për më tepër ndjekja e verbër që qeveria turke i ka bërë administratës amerikane dhe regjimeve diktatoriale arabe në luftërat që ata kanë krijuar në Siri, Libi dhe Jemen, kanë bërë që shumë islamistë, majtistë, nacionalistë dhe intelektualë turq të rebelohen ndaj veprave të qeverive të Erdoganit. Qendrat urbane dhe punëtoria turke janë konfrontuar në mënyrë të vazhdueshme me qeveritë e Erdoganit, të cilat i kanë denoncuar si autokratike, kapitaliste dhe anti-popullore.

Partia e Erdoganit ka ardhur në konflikt edhe me grupe të ndryshme islamistësh turq, të cilët shpresonin që ardhja në pushtet e AK Partisë do realizonte ëndrrën e Nexhmedin Erbakanit e cila donte ta shihte Turqinë, siç Shimon Peresi thotë, në një Iran të Islamit synit në Lindjen e Mesme. Por Partia e Erdoganit jo vetëm që nuk realizoi ëndrrën e Erbakanit dhe ta kthente Turqinë në një Kalifat të Islamit synit, por ajo ka hyrë në konflikt edhe me islamistët masonë, siç është Lëvizja e Hizmetit të Fetullah Gylenit. Këto konflikte të bashkuara me konfliktin kurd në jug të vendit dhe për më tepër, ndërhyrja e Turqisë në luftën civile në Siri, kanë kthyer komunitete të tëra në vend kundër politikave të Erdoganit. Konfliktet politike dhe ushtarake më të cilat Turqia përballet sot në rajon, janë shoqëruar edhe me një ngecmëri ekonomike dhe një krizë të avashtë që po pushton vendin.

3.
Kur AK Partia fitoi zgjedhjet në Turqi në vitin 2002, pra rreth 80 vite që kur Mustafa Qemal Ataturku themeloi Republikën Turke dhe ndau Turqinë nga Kalifati Osman, miliona muslimanë anë e mbanë botës qenë inspiruar me shpresë se Turqia do të kthehej në Iranin e Islamit synit në botë, dhe nga një vend dosido i Botës së Tretë do të kthehej më në fund në vendin më të rëndësishë të botës përkrah SHBA-ve dhe Rusisë. Por edhe pse ati i islamizmit modern në Turqi, Nexhmedin Erbakani e denoncoi partinë e Erdoganit e cila u shkëput nga Partia e tij e Faaziletit, si parti që bashkëpunonte me imperialistët dhe masonët, shumica e muslimanëve anë e mbanë botës besuan të kundërtën. Këtë gjë besonin edhe qarqet sundimtare të Perëndimit, të cilat e panë gjithmonë me dyshim partinë e Erdoganit dhe politikat e tij.

Megjithatë, tani pas 13 vitesh në pushtet, koha tregoi që Turqia nuk u kthye as në një Iran, as në një Vatikan e as në një Greqi apo Rusi. Edhe pse kryeministrit Erdogan herë pas here ka bërë deklarata bombastike dhe arrestuar ndonjë gazetar, në këto 13 vitet e fundit Turqia ka mbetur një demokraci sikur demokracitë e tjera evropiane; e dominuar nga allishverishi, korrupsioni, dhe e bindur ndaj NATO-s dhe Amerikës. Qeveritë e Erdoganit nuk e ndryshuan dot sistemin laik-demokratik në Turqi dhe varësinë e vendit ndaj Amerikës. Turqia nuk u bë dot një shtet teokratik sikur Greqia, ku Kisha Ortodokse bekon kryeministrat. Ajo nuk u bë dot shtet-kishë siç është Vatikani për katolikët. As një shtet revolucionar sikur Bashkim Sovjetik për punëtorinë. Dhe as një shtet ku klerikët sundojnë mbi laikët – siç është Irani. Turqia mbeti një shtet vasal i NATO-s ku ndryshimi i vetëm ishte se kryeministri dhe presidenti i saj i mbanin gratë me shami dhe përmendnin Allahun në fjalimet e tyre elektorale.

4.
Rënia në numrin e votave që AK Partia e Erdoganit pësoi në këto votime, tregon që koha e magjepsjes së elektoratit turk me Partinë e Erdoganit dhe “islamin politik” po shkon drejt fundit. Sipas rregullave të demokracisë kjo do të thotë që një ditë AK Partia do të humbasë pushtetin dhe do të kthehet në një parti sikur gjithë të tjerat.

Por ndërsa muslimanët e Mesdheut dhe Lindjes së Mesme e pritën me shumë shpresë ardhjen e AK Partisë në Turqi, sot ata po përballen me zhgënjimin e radhës. Ata kanë parë sesi Perëndimi shkatërroi demokracinë islamiste në Egjipt dhe mbështeti diktaturën e Sisit. Kanë parë sesi Perëndimi dogji Libinë dhe Sirinë me vehabitët e Arabisë Saudite. Kanë parë sesi Perëndimi mbështet diktaturat e egra fisnore që nga Arabia Saudite e deri në Katar, dhe sesi islamistët nuk arritën të qëndrojnë dot në pushtet në mënyrë demokratike as në Tunizi. E sot kur AK Partia po dobësohet në Turqi pyetja e madhe që ata kanë, është se çfarë do të ndodhë me Turqinë një ditë kur AK Partia të rrëzohet nga pushteti? A do të përfundoj edhe Erdogani në burg sikur Morsi dhe a do të kthehet Turqia në kohët e errëta të diktaturës laike – sikur në kohën e Ecevitit? A do të dëbohen gratë me shami nga shkollat dhe punët në Turqi sikur më parë, dhe a do të mbyllet Turqia në vetvete sikur më parë?

5.
Dobësimi i AK Partisë i ka shqetësuar edhe muslimanët e Ballkanit. Në këto 13 vitet e fundit, Turqia ka qenë pranë tyre me ndërtime xhamishë, bursa shkollore, kurbane dhe iftare, konferenca dhe mbështetje morale në sa e sa raste. Edhe pse qeveritarët turq më shumë kanë treguar barcaleta sesa punuar për Ballkanin, largimi i mundshëm i AK Partisë nga skena turke i vendos ata para dilemës së jetimit. A do të mbyllet dhe tërhiqet Turqia në vetvete e ti harrojë vëllezërit e saj musliman në Ballkan? Edhe pse Turqia më shumë ka treguar barcaleta për muslimanët e Ballkanit – në krahasim me dominimin që ushtron mbi ata Bashkimi Evropjan dhe Amerika – sërisht ideja e një Turqie muslimane motër përtej Bosforit ka qenë një ndjenjë e mirë shprese për mijëra sysh në Ballkan. Përralla se Turqia është një superfuqi dhe Erdogani është sulltan i Islamit ka inspiruar sa e sa hoxhallarë që të yshtin besimtarët nëpër xhamitë e Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë në këto 10 vitet e fundit që të besojnë se më në fund Botës së Islamit i ka ardhur dita. Edhe pse dita Islamit nuk i ka ardhur ende, ditët me një Turqi pa AK Partinë nuk duken shumë të sigurta për muslimanët që rrojnë në Ballkan. Nëse, në Turqi ndodh që pushtetin ta marrin laikët izolacionistë, penxhereja e mbyllur turke do përbëjë një sekëlldi të madhe për muslimanë e Ballkanit.

Dashtë Allahu që të mos vijë ai zaman!

aa_picture_20150513_5321519_high-jpg20150513223321


*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.