Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Zogu, hebrenjve: Ma ktheni fronin, 50 mijë familje të juaja do të kenë tokë në Shqipëri

Prizren Post | 21:28 - 18.05.2014

Në pamundësi për t’u kthyer në Shqipëri në rrugën që ai do të dëshironte, Mbreti Zog ka përdorur të gjitha mënyrat për të siguruar sërish fronin e Shqipërisë. Në fillim të vitit 1944, në një kohë kur lufta po kthehej gjithnjë në favor të aleatëve, Zogu nuk shikonte një perspektivë të qartë për mundësinë e kthimit në fronin e Shqipërisë. Lëvizja partizane në Shqipëri po fitonte terren, ndërsa qeveritë perëndimore aleate nuk po e njihnin atë si kreun e qeverisë provizore shqiptare. Në këto kushte, Zogu ka luajtur një kartë të veçantë, por që nuk rezultoi e suksesshme.

Në janar të vitit 1944, Mbreti Zog takohet me një grup prej tre ose katër personash, krerët e Shoqatës Anglo-Hebraike në Londër, të cilëve u propozon një plan konkret bashkëpunimi. Krerët e kësaj shoqate ishin njerëzit më me ndikim në lobin hebre në botë dhe në të përmenden dy emra tepër të njohur, si Montefiore dhe Robert Ualey Cohen. Plani i Zogut për lobin hebre ishte që nëse ata e rikthenin në fronin e Shqipërisë, atëherë Shqipëria mund të kthehej në vendstrehimin e tyre. Ky plan duket se ngjiti shumë te lobistët hebraikë, të cilët menjëherë këtë takim e raportuan në Ministrinë e Jashtme britanike, duke kërkuar që kjo ofertë të vlerësohej.

Kjo ofertë merrte një vlerë të veçantë për shkak të situatës në të cilën ndodheshin hebrenjtë. Shumica e tyre ndodheshin në kampet e përqendrimit dhe shoqatat hebraike në botë kishin marrë vendimin që hebrenjtë të largoheshin nga Evropa Perëndimore në veçanti dhe të krijonin një shtet të tyrin. Por, Palestina nuk ishte opsioni i parë, ndaj janë diskutuar shumë vende. Me sa duket, Mbreti Zog, i njohur me këto zhvillime dhe me faktin se hebrenjtë kërkojnë një shtet të tyre, u ofroi atyre mundësinë e strehimit në Shqipëri, derisa kjo çështje të merrte zgjidhje për ata.

Shoqata Anglo-Hebraike është e mendimit se vlerësimi i Zogut për një reagim të mundshëm për një projekt të tillë në Shqipëri vjen për shkak të besimit të tij të dukshëm në fuqinë e hebrenjve. Ata besojnë se ky informacion ia vlente të raportohej. Por, pavarësisht se në Ministrinë e Jashtme britanike nuk pati më asnjë lëvizje për këtë propozim, duket se shoqata e lobistëve hebrenj ka realizuar një plan të detajuar.

Sipas profesorit amerikan Bernd J. Fischer, Zogu ofroi sponsorizimin e një plani për një vendosje masive të hebrenjve në Shqipëri, që sipas Fischerit bëhej fjalë për rreth 50.000 familje për t’u dhënë tokë në pronësi të shtetit. Kjo do të realizohej gjithnjë dhe vetëm nëse hebrenjtë britanikë do e ndihmonin atë për të rimarrë fronin e tij.

Profesori amerikan e sheh këtë ofertë të Zogut në aspektin se ai ndodhej në një situatë të dëshpëruar sa i përket të ardhmes së tij politike, por, gjithsesi, Fischer e cilëson pa dyshim si një ofertë unike dhe ndoshta si një tregues të angazhimit të Zogut për diversitetin fetar.

Shoqata Anglo-Hebraike vijon ende sot të jetë një prej organizatave më të forta të lobit hebre ndërkombëtar, ndërsa në botën britanike ajo ende është shoqata me lobistët më të njohur.

E krijuar që më 1871, kjo organizatë ka për objekt të saj promovimin e progresit shoqëror, moral dhe intelektual midis hebrenjve, si dhe marrjen në mbrojtje të atyre që mund të vuajnë si pasojë e të qenit hebrenj. /Erald Kapri/Panorama/


Arivisti Company