Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Zvarritja e FAK-ut, për shkak të serbëve

Prizren Post | 23:57 - 05.07.2015

Prishtinë – Edhe pas më shumë se një viti nuk dihet se kur do të bëhet shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Zvarritja e procedimit të amendamenteve për FAK-un në Kuvendin e Kosovës, sipas anëtarëve të Komisionit të Legjislacionit, po ndodh për shkak të kërkesave të deputetëve të “Listës Serbe”.

Deputetët dhe ekspertë të sigurisë kanë dilema të mëdha nëse edhe këtë vit Kosova do të bëhet me ushtri ose jo.

Madje, kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, thotë se është përfolur se amendamentet e FAK-ut do të futen në një pako me Gjykatën Speciale, prandaj nuk i kanë proceduar ato në seancë.

Megjithatë, Haxhiu ka kërkuar nga Ministria e FSK-së që t’ia dërgojë skemën e organogramit të Forcave të Armatosura, para se ato të dalin në seancë për shqyrtim dhe miratim.

Haxhiu: FSK të procedojë edhe skemën e ogranogramit për FAK

“Si kryeta re e Komisionit për Legjislacion kam kërkuar nga Ministri i FSK-së Haki Demolli, përveç amandamenteve që i ka proceduar pranë Komisionit për Legjislacion, të na procedojë edhe organogramin dhe gjitha dokumentet tjera relevante që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura. Mirëpo, në shkresën që e kam pranuar prej z.Demolli, më është thënë se ende nuk e kanë gati çfarëdo dokumenti tjetër, ose organogrami se si do duken Forcat e Armatosura të Kosovës”, tha Haxhiu.

Në Ministrinë e FSK-së thonë se nuk mund të dërgojnë organogramin në komision.

Drejtori i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun në këtë Ministri Ibrahim Shala,thotë për KosovaPress, se Kuvendi nuk merret me pjesën organizative dhe strukturën organizative të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Shala: Organogrami krijohet pas aprovimit të ligjit

“Nuk e kemi dërguar ne organogramin, sepse kjo ka një shpjegim të veten. Organogrami i Forcave të Armatosura të Kosovës, krijohet pasi të aprovohet ligji për FAK. Organogrami i FAK-ut është i derivuar nga ligji për FAK. Kuvendi nuk merret me skemën organizative dhe strukturën organizative të Forcave të Armatosura të Kosovës. Në Kuvend kanë për t’u proceduar ligji dhe ndryshimet kushtetuese”, thotë Shala.

Edhe në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, thonë se është e papranueshme që FSK-ja të ketë ndarje etnike, sikurse ka ndodhur me Policinë në veri të vendit.

Anëtari i këtij komisioni, Rexhep Selimi, thotë për KosovaPress, se po shihet një tendencë e ndarjes etnike të FSK-së, por nuk do ta lejojnë një gjë të tillë.

Selimi: Mos të pyetet Beogradi për formimin e FAK

“Lista e tashme, në atë kohë përfaqësuesit e komiteti serb kanë qenë fizikisht në Beograd, duke biseduar me Qeverinë e Beogradit se si të veprojnë. Normalisht sa herë ne ta pyesim Qeverinë e Beogradit, a ta kemi ushtrinë tonë, përgjigjja është e ditur, Jo. Por ne, nuk do duhet ta pyesnim Qeverinë e Beogradit për ta bërë ushtrinë ose jo, dhe ne do duhej ta formonim ushtrinë e Kosovës, pa e pyetur Qeverinë e Beogradit qoftë përmes përfaqësuesve të tyre në Parlamentin e Kosovës, përmes Listës Serbe”, tha Selimi.

Ai ka shtuar se, në mënyrën se si Qeveria po i qaset kësaj pune, as këtë vit Kosova nuk do ta ketë ushtrinë e saj.

Dilema se Kosova këtë vit do ta ketë ushtrinë e saj ka edhe eksperti i çështjes së sigurisë, Florian Qehaja.

Ai tha se aprovimi i saj në Kuvend ndërlidhet me proceset e tjera politike, por ndërkombëtarët duhet të bëjnë trysni në formimin e ushtrisë së Kosovës, ashtu si po bën trysni për krijimin e Gjykatës Speciale dhe asociacionin e komunave serbe.

Qehaja: Bashkësia ndërkombëtare të bëj trysni në krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës

“Mendoj që merr kohë, përveç nëse ka naj trysni të madhe nga bashkësia ndërkombëtare dhe ka në interes që procesi i formimit të ushtrisë të bëhet sa më shpejtë, gjë që unë nuk po e shoh. Bashkësia ndërkombëtare nuk ka interesim që ta shtyjë këtë proces. Shihet qartazi që ka interesim që t’i shtyjë dy proceset tjera, që janë politike, Gjykata Speciale dhe Asociacionit të komunave serbe, mirëpo jo edhe ushtria. Po i përmendi këto tria, sepse për këto tria pritet të ketë ndryshime kushtetuese, dh e kësisoj është një zinxhir i amendamenteve kushtetuese që pritet të bëhet në muajit në vazhdim”, është shprehur Qehaja.

Ndërkohë, në rekomandimet e dala nga qeveria të datës 5 shkurt 2014, thuhet se tranzicioni i FSK do të bëhet në tre faza.

Faza e parë e transformimit në ushtri parasheh periudhën 2014-2016, faza e dytë 2017-2019 dhe faza e tretë gjatë viteve 2020-2024.

Po ashtu, në mesin e këtyre rekomandimeve, thuhet se Ministria e FSK-së do të ndërrojë emrin dhe statusin, përkatësisht të emërohet Ministria e Mbrojtjes. /KP/


Etiketa:
Arivisti Company