Baki Goxhajn için…


Pazar, Mayıs 24th 2026

Një përsiatje nga Elbasani për vlonjatin inspirues

Atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, Ne me siguri që do t’ua shlyejmë të këqijat dhe do t’i shpërblejmë sipas më të mirës që kanë kryer – Kur’an, Ankebut, 7

Dita e premte shënoi kthimin e Baki Goxhajt në Shqipëri. Siç asht e ditme nga zani që sipërmarrja e tij mori ditët e funit, kryesisht falë rrjeteve sociale, opinioni publik shqiptar e priti me larmi qëndrimesh atë që ai u përpoq të bante. E duke qenë se pas intervistave të dhanme prej tij pasi u kthy, ime ngjarja e tij njifet dhe nji kronologji të ndodhisë, e qujmë të tepërt ta paraqesim.

Mështet te historia e dokumentume e njeriut, ne dimë se mënyrat se qysh Zoti zgjedh t’i vendosë njerëzit në provë, asht ose verbale, ose joverbale. Mënyra verbale se qysh Ai vepron asht përmes Shpalljes dhe dërgimit të profetëve. Libri që Ai sjell, i Dërgumi që frymëzon dhe bashkësia që projekton të ndërtojë, si rregull asht manifestimi material i ftesës që të tjerve u serviret, nëse do ta përqafojnë apo jo këtë komunikim skriptual që u vjen nga nalt. Nëse binden dhe e shofin t’arsyeshme t’i përgjigjen, ata i flasin Atij mbrapsht, duke iu lut dhe kry ritualet përkatëse, që Libri dhe i Dërgumi kërkojnë. Në kët kuptim, Revelata për shoqërinë ku ajo shpallet, shndërrohet në letrën e lakmusit për të dy palët, si për ata që e marrin seriozisht, ashtu dhe për ata që e refuzojnë. Ky komunikim qiellor tashmë ka marrë fund, sepse për ata që besojnë, Libra e profetë nuk do të ketë ma, kurse ata që nuk besojnë, këtë punë e kanë pas përherë të ndame.

Mënyra joverbale se si Zoti zgjedh t’i testojë njerzit, asht përmes Shenjave të Tij. Në kët rast, shoqërive njerëzore Ai u çon fatkeqësi apo mirësi të ndryshme, me pa nëse do t’reflektojnë apo jo. Luftrat, tërmetet, pandemitë apo ngjarje të tjera madhore, me karakter sa kozmologjik aq dhe shoqëror, asht historikisht e konfirmume që mbarë miletin, nga ma të mençmit deri te budallejt, e detyron të shtrojë pytje që kërkojnë përgjigje. Për besimtarët kjo asht e qartë. Të kundërtët e tyne kanë prodhu variante alternative për me i dhanë kuptim Shenjave të Tij, sepse me mohu Shpalljen e me i thanë prrallë, asht ma kollaj sesa me përgënjeshtru Shenjat e Tij. Në kët kuptim, materializmi dialektik, doktrina e rikthimit të përjetshëm, lineariteti i progresit që s’pushon, janë disa nga shkollat që i japin kuptim Shenjave, pa besu se vijnë prej Zotit. Kurse forma ma ekonomike mund të themi se asht ajo e atyne që dumin çështjes kanë zgjedh t’ia japin nëpërmjet besimit te komunikatat trajektoriale të Bricjapit dhe Ujorit, deshifru prej Meri Shehut, si ambasadore e kshillit galaktik.

Ne gjykojmë se sipërmarrja e Baki Goxhajt përfshihet në tipologjinë joverbale, si në rastin kur i besojmë versionit se genocidi që Shteti i Izraelit po kryn ndaj popllit palestinez asht ma i përgjakshmi, ma i ligu, ma i pashembullti e ndoshta dhe ma i papërsëritshmi, sepse asht genocid në terren që transmetohet online nëpër ekranet e xhepave tonë dit e nat, ashtu dhe në rastin kur besojmë se poplli palestinez paska qenë ma i rrezikshmi, ndaj pasardhësit e viktimave të Bukenvaldit nuk kanë për të gjet kurrë paqe e shpagim, derisa ta vrasin ene palestinezin e funit. Në të dy rastet, qoftë genocid apo konflikt, gjithçka që ndodh lidhur me të, vetvetiu tërheq vëmendje botnore, duke u shndërru kështu jo vetëm për shoqëritë si struktura madhore por edhe për individët tek e tek, në një ftesë shtrënguse se nga cila palë do t’rreshtohen.

Thanë këtë, nisja e Bakiut nëpër detna n’cilësinë e shqiptarit të vetëm, në fillim tërhoqi nji vëmendje të zbehtë. Duke qenë se flotiljet e atij lloji tashmë ka kohë që nga mediat e kapme globale konsiderohen ilegale, zhvillimet e përditësume pjesmarrësit i paraqisnin nëpërmjet rrjeteve sociale. Kur lajmi u ba i ditun nga vetë Bakiu, siç pritej, ajo që pasoi qe nji heshtje totale, me përjashtimet sporadike të rastit. Aventura e tij, tek e funit, s’kishte pse të shqetësonte askënd. Odiseada e tij nantë ditore në lundrim, si nga politika ashtu dhe media, u gjyku si me ujdi si punë e tij. Qeveria shqiptare, në bashkpunim të heshtur me opozitën e tredhme dhe pa ideale, nuk e vuni ujët në zjarr, duke e dit shumë mirë se ai, bashkë me të ngjashmit e vet, qe duke hy në gojë t’ujkut.

Pika e kthesës ishte e hana e kësaj jave, kur e gjithë flotilja u mor peng nga piratët izraelitë që në ujnat ndërkombtarë, me sa thonë raportimet. Trysnia e shoqërive civile dhe mediave të mëdha në venet perëndimore, nga të cilat ishin shumica e të rrëmbymëve, qeveritë përkatëse i detyroi apo nxiti, këtë s’dimë ta themi tamam, që të ngrinin zanin e të kërkonin lirimin e tyne, siç qe rasti i Italisë, Francës dhe Irlandës. Trysnia publike e shqiptarëve, qe për faqe të zezë, kurse heshtja e qeverisë, akoma dhe ma e papranushme dhe turpnuse.

Teksa ditët kalonin dhe lajm prej tij s’kishte, media mjaftohej me riformulimin telegrafik të së njëjtës fjali informative, që në mesin e këtij grupi të çuditshëm, gjindej dhe nji shqiptar. Presionet familjare amplifiku nga disa portale nëpër Internet, konvergu me trysninë globale në rritje, e detyrun ministrin e Punve të Jashtme të deklaronte se Bakiut do t’i jepej gjithë mështetja e mundshme, duke mos denju ama, të bante kurrfarë denoncimi për kriminelat që e kishin marrë peng. Zemërata arriti kulmin pas publikimit të trajtimit poshtërus dhe çnjerzor të hienave izraelite, orkestru nga ministri Ben-Gvir. Ditën e enjte, kur ferra e pat marrë uratën, ministria komunikoi përsëri, se përfaqësia jonë diplomatike në Tel Aviv ishte duke e myll kët punë, gja që pasoi me kthimin e Bakiut ditën e premte.

Ime, përcjellja e gjithë situatës me neglizhencë, asht e trifishtë. Së pari, dihet që Qeveria shqiptare me kryeministrin e vet, ndaj shtetit kriminal asht sjellë si lakeu ma i bindur, por kësaj here në zgjedhën e tij gjindej nji shqiptar. Kët test ajo do ta kishte kalu nëse do të fliste që ditën e hanë, duke kërku lirimin e tij të menjëhershëm, duke e denoncu rrëmbimin e tij si të jashtëligjshëm, duke artikulu në mënyrë të preme se iniciativa e tij nuk përbante kurrfarë armiqësie dhe duke theksu se pas këtij incidenti, do të rishifte gjithë marrëdhëniet institucionale me shtetin rrëmbys. Kjo nuk ndodhi.

Së dyti, media shqiptare pati mundësinë e artë për me e kapërcy veten. Bashkëpunimin me korrupsionin qeveritar dhe krimin e organizum, ash një turp të cilin ajo nuk e shlyn dot kollaj, por e shkreta vijë e kuqe, asht e ditme se vetëm se shtyhet, duke toleru çdo gja, në relativizimin dhe banalizimin që i ban së keqes, duke na e domestiku si të pranushme. Por rasti i Bakiut qe diçka që nuk pat ndodh ma parë dhe ajo duhet ta kishte shndërru në çështjen kryesore të ditës, qoftë edhe për ta instrumentalizu si precedent dinjiteti, siç kurrë nuk harron me kujtu ndihmën dhanë hebrejve gjatë Luftës së Dytë, ose mikpritjen madhështore ba shqiptarëve të Kosovës në kohën e genocidit serb. Por duke qenë se ajo asht një invariant i mafies internacionale, bani sikur nuk e pa Bakiun, duke e dit mirë që kushtimi i vëmendjes karshi tij, do ta fuste në nji labirint prej të cilit vështirë se dilte. Prandaj i ra shkurt dhe nuk u përfshi.

Së treti, e ashtuquajtuna shoqëri civile, elitë publike apo klasë e kulturume, që në kushtet e shoqërive të laicizume, shërben si rujtja e ekuilibrit midis të fortit dhe të dobtit, pra Shtetit dhe Individit, e sidomos midis së drejtës dhe të gabumes, ktheu kokën nga krahu tjetër. Intelektuali, në kuptimin modern të fjalës, asht njeriu antisistem par excellance, ai që sakrifikon veten dhe i kundërvihet përbindëshit ma të ftofët, për me e thanë me gojën e Zarathustrës. Por veçanërisht në rastet e spastrimit etnik, tri janë llojet e njerëzve që kanë detyrimin ma të madh me u pozicionu saktë dhe për t’u shndërru në zanin e rezistencës.

Profesorati që ne kemi prodhu, përveç qokave reciproke që ban mes veti duke shpërnda tituj shkencorë, nuk i hyn në punë as dreqit, duke qenë njeherazi përgjegjës për prodhimin e debilave në masë, që sistemi u ban ven napër katakombet e veta, n’cilësinë e humusit dhjamor falë të cilit i zgjat jetën vetes. Me kalimin e viteve, profesorat e kanë tradhtu valencën politike që kanë detyrë me bart. Kjo asht vdekja e universitetit, sepse ime ai nuk asht asgja ma shumë sesa shkollë e naltë. Parlamenti shqiptar i dekadës së parë pluraliste, ishte plot me profesora, kurse sot asht pedikyri institucional i rrozgave të Ramës, me të vetmen të mirë që poshtë Zeqinesë, nuk zbret dot ma.

Doktori i spitaleve, që përveç bisturisë, kockave dhe anafilaksive nuk di gja prej gjaje, asht ndoshta krijesa më e përbindshme e shoqërisë shqiptare. Paradoksalisht, atë cilësi jetike që mjekut i jep në parim rolin ma vendimtar në mozaikun e profesioneve, e që asht ajo e mundësisë me shpëtu jetë, mjekët tanë e kanë kthy me kokë poshtë, duke e stabilizu de juro dhe de facto, pohimin se janë të randsishëm pikërisht se zotnojnë mundësinë ma të kamuflushme, ma luksoze dhe ma fine për me të vra. Nuk asht rastësi që kur përmenen përjashtimet e nderume përkatëse, virtyti human theksohet i pari, njësoj si fjalitë e rrenacakëve që fillojnë me periudhën, “që të jem i/e sinqertë.” Kjo psikologji për së prapthi, në harmoni me statusin që atyne u jep mjekësia e centralizume moderne, i shndërron ata në qeniet ma frigoriferike të shoqërisë. Në kët kuptim, duke qenë se nga zemra njerzore ata njofin vetëm barkushet, kurse njerzit në tërësi i shofin si kufoma që ecin hala, na detyron që ma të mirët t’i përshkrujmë si zanatali të përsosun, kurse ma të kqitë si varrmihës me shkollë. Heshtja e tyne totale në dy vjet genocid të përditshëm, e vërteton këtë.

Njeriu i sistemit të drejtësisë asht një tjetër profesionist, homologu i të cilit në vene të tjera të kontinentit, i ka denoncu dhe dënu fuqishëm masakrat izraelite. Prokurorët, gjykatësit, magjistratët dhe juristët tonë në tërësi, janë mishërimi ma i kullum i xhelatit. Ata kanë detyrimin moral dhe ligjor për të mështet kauzat madhore të shoqërisë. Shërbimi që ata i bajnë martesës së trefishtë midis politikës, ekonomisë dhe krimit të organizum, asht nji njollë e pashlyshme dhe e keqja ma e strukturume ndaj shqiptarve, por në rastin e Bakiut, duke qenë se ishin edhe jashtë konfliktit të ngushtë të interesit, ata duhet të ishin sjellë ndryshe. Unisoni i tyne serioz, së paku në princip, do ta vendoste qeverinë shqiptare përballë detyrimit për të reagu menjëherë, pavarësisht nëse e bante apo jo këtë. Kjo jo vetëm që nuk ndodhi, por madje prej tyne kishte zana që shtjellun specifika ligjore sipas të cilave shteti izraelit kishte të drejtë të ndërhynte. Kjo vjen për faktin se ligjet dhe nenet ata i njofin vetëm si formula, pa qenë asnjëherë të prirur me përvetësu nji filozofi të së drejtës. Në kët kuptim, ata janë kimera e mirëfilltë, në cilësinë e arkitektëve të ligjshëm të nji drejtësie përherë e ma arbitrare, gjithnjë e ma të instrumentalizume, sa vjen e ma makabre. Njerëz të tillë, që etalon përbashksimi kanë zemrën e vdekme, s’mund të gëzojmë ma asnji fije aftësi me admiru të guximshmen.

Por ndoshta ma fajtorët nga të gjithë të sipërpërmenmit, janë hoxhallarët apo imamët e Shqipërisë. Siç tashmë asht marrë vesh, Bakiu asht një mysliman shqiptar. Zellin e imamve me lexu besim dhe sjellje islame nëpër heroizma të ndryshme napër botë, ne e njofim. Disa prej tyne e kanë dhe bindje, se forma ma e mirë e përhapjes së fesë asht përmes akteve të pashembullta dhe sjelljeve të mira, sepse kshtu të ndryshmit nga ne, do i thërrasin menies e do menojnë se një fe që sugjeron nji sjellje të këtillë, ia vleka me u përqafu.

Dhe ne kemi disa tipologji hoxhallarësh, siç janë ata të tërmeteve, kollareve, turistave, getove, shoqatave, berretave, tolerancave, për mos me e ba shumë të vështirë zgjidhjen e ushtrimit, match the descriptions on the left to the identities on the right. Feja e tyne OMGJ, e sekularizume në liturgji dhe fishekzjarre, nuk asht hera e parë që nuk i len të bajnë gjanë e duhur. Standardi i dyfishtë i qëndrimeve politike, asht diçka që te ta bi kollaj në sy. Në kohën e konfliktit sirian, ata dhe pjesa derrmuse e myslimanëve shqiptarë, e patën kollaj të flisnin zanaltë kundër mizorive të regjimit të Asadit, ndoshta edhe për llogari të faktit se armiqtë e mëdhej ishin rusët me iranianët, që janë koka ideale turku. Por kur përballë janë izraelitët me amerikant, që në dallim nga regjimi gjaksor sirian, bajnë dhe mështesin spastrim etnik, imamët tanë heshtin dhe nga mjeshtra të gjeopolitikës me lexime të stërhollume në akide dhe orientime të mirëpërcaktume se me çin duhet të bahen myslimanët në kohë krizash e fitnesh, mjaftohen me duatë dhe mallkimet e përgjithshme ditën e xhuma. Dëshira e tyne që konflikti amerikano-iranian i para tri mujëve të dilte 4-4 e të përfundonte me penallti, që palët të shkatërroheshin me njani-tjetrin e mos fitonte asnjani, asht provë që të zezat e botës i sjell Irani dhe jo Izraeli, por meqë kto punë luftrash janë, ta hanë pra dhe çifutët.

Nga ana tjetër, duke dit sinqeritetin dhe dertin e çiltër që kanë karshi fesë, jemi të bindur që janë mërzit pa masë që konjukturat e pushtetit dhe narrativa që kanë zgjedh të manifestojnë si Islam, ua pamundësoi të thonin nji gjys llafi për aktin e admirueshëm të Bakiut. Ne e dimë që kur dun, ata shkatërrojnë grupe armiqësore, demaskojnë devijime, paralajmërojnë nga idetë ekstreme, thërrmojnë metodat e rrezikshme, pasterizojnë doktrinën dhe nuhasin rrezik edhe kur nuk ka. Me përjashtime të pakta, siç ishte rasti i të përhershmit Justinian Topulli, klasa e imamëve (të rëndsishëm) shqiptarë heshti në bllok. Kjo e bame sikur s’ndodhi asgja dhe se iniciativa e Bakiut nuk asht tamam e mështetme në metodën profetike, ata jo vetëm që i delegjitimon me qenë lidera, por jep dhe shembullin e gabum për një xhemat përherë e ma amorf, që merr formën e enës ku futet.

Por ka edhe ma. Ndikimi i qëllimshëm i modeleve të tillë, ka prodhu nji sistem vertikal imitimi të vetëdijshëm ndaj jetesës së kollajshme dhe aureolës së gangsterave. Kjo asht tagjia që hanë të rinjtë tonë. Ky proces degradimi ka fillu herët, por asht përshpejtu falë shkërdhatokracisë inxhinierike që ka instalu Edi Rama. Panoptikoni i tij total fillon me ministrat që i heq e i ven si filtrat e vajit kur iu mushen kilometrat që ua akordon po vetë, e përfundon te prolet e rrjeteve sociale si puna e debilit të petaleve të tranafilit socialist, përfshi dhe pjesën e frikshme dërrmuse të profesioneve të naltpërmenme. Kjo asht landa dhe palca e strukturës aktuale të shoqërisë shqiptare. Ky ndryshim thujse gjenetik, ky dominim i servilizmit, kjo prirje karshi kollajllukut dhe kjo tendencë me iu ik përgjegjësive, si tri cilësitë bazë të sjelljes shqiptare të shekullit tonë, kanë kontribuu në bjerrjen e virilitetit klasik që shqiptarit nuk asht se i ka mungu, siç gjindet te folklori dhe letërsia jonë e Veriut. Guximi për mos me i thanë derrit dajë, dinjiteti për me rezistu kundër të fortit jo për llogaritë e tuja, por të ma të dobtit, refuzimi për mos me iu bind asnji kufini t’imponum nëse atë ta ven i forti prej të cilit vun jo ti, por i ngrati, se vujtja jote as që duhet vanë në kanar, ajo asht rregull, jo përjashtim; ajo forcë karakteri, ai vullnet kokëfortë, ai durim i paepëm, ajo luftë për drejtësi, ai tipar shkodran, për me përdor ma të bukrën e metaforave, janë cilsi morale që i shofim përditë e ma pak.

Faqja e zezë e seancës parlamentare të javës, shpëtu vetëm prej Redi Muçit, përpara të cilit përulemi me nderim dhe mirënjohje; gazetaria jonë memece që ime Bakiun e koncepton si sovjetikët qenin Laika kur u kthy gjallë prej hapësire, që t’i rrëfejë si trubadur dhunën e ushtarve; profesorati ynë inekzistent, që e ka harru se çfarë do të thotë trysni publike e intelektualve; mjekët tanë grabitqarë, që s’u ban përshtypje vrasja e fmive dhe shkatërrimi i jetës njerzore pa kurrfarë faji; juristët tanë bashkëfajtorë, që s’kanë denju kurrë me i denoncu shkeljet internacionale ligjore të shtetit izraelit karshi katër anve të botës; hoxhallarët tanë me dy standarde, që kur vjen puna te shiiti paralajmërojnë ene yjet, kurse çifutin bajnë sikur s’e shofin, janë etiologjia e nji smunieje thujse t’pashërushme dhe kronika e ditme e nji harrese t’paralajmërume.

Në dritën e ktyne bindjeve, shoqëria shqiptare e humi mundësinë e artë për t’u sjellë siç duhej me Shenjën që i erdhi. Por këtë ajo s’mund ta bante, pa e kuptu me tamam se për çfarë asht ba fjalë këto ditë. Sepse Baki Goxhaj nuk asht aktivist; aktivist asht term pink. Ai nuk asht as hero; heroj prodhonte puna socialiste. Ai asht Njeriu siç e konceptoi Zoti vet, asht kalifja në Tokë, asht kambëngulja e Krijusit për me pru si shëmbëlltyrë pikërisht atë, në kundërshtim me frikën e përligjme t’melekëve, se mos ai përfundonte në pisllukun që do vriste fmijë e derdhte gjak posht e nalt. Ai asht Njeriu që llogarit e të gjithve i ban para të vetave, që nuk hakmerret për zullumin që i bahet atij, por për atë që i bahët të tjerve, që cipër dinjitetin njerzor s’pranon të prevalojë asgja, që tejkalon vetveten me çdo kusht. Ai asht mishërimi i Husein ibn Ali, që përleshet me jezidnat dhe ben gvirnat e kohës vet, i tradhtum prej të vetëve e i sakatum prej kriminelave, vetëm e vetëm që të mahet gjallë Ideja, ngase asht ligj i Zotit në tokë, se që të binë dyrët e Hajberit, përpara duhet me besu te flamuri i fitores. Në kët kuptim, na fal, shoku im, sepse ne ty, që e ngrite kaq nalt stekën e burrnisë dhe njerëzillukut, jemi fajësisht të dënum të të falim.


Kaynak: prizrenpost

Etiketa:

Leave a Reply

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit