Nedjelja, 31 Maja 2026

Sandra Birchmore kishte planifikuar të zbulonte shtatzëninë e saj në Ditën e Shën Valentinit. Më 1 shkurt 2021, ndërsa një stuhi e fuqishme bore godiste Massachusettsin lindor, 23-vjeçarja qëndroi në apartamentin e saj në Canton, periferi pranë Bostonit. Ajo ishte rreth 10-javëshe shtatzënë dhe lajmin e kishte ndarë vetëm me disa persona të afërt.
Dy javë më vonë, ajo planifikonte të publikonte në rrjetet sociale një poster rozë dhe blu me gjurmë të vogla foshnjeje ku shkruhej: “Po pres një vogëlush të ri për ta dashur. Valentini im i vogël do të vijë në shtator 2021”.
Ndërsa bora grumbullohej jashtë, Sandra po përgatitej për mëmësinë. Ajo shkëmbente mesazhe me miqtë për rrobat e foshnjës, kërkonte mobilie për dhomën e bebes dhe kishte zgjedhur një fotografe për shtatzëninë. Në orën 17:33, kamerat e sigurisë e filmuan duke dalë jashtë për të marrë një furçë bore nga vetura. Ajo kishte veshur një xhaketë të errët dimri, me flokët të mbledhura lart.
Ishin pamjet e fundit kur ajo u pa e gjallë.
Tri ditë më vonë, policia gjeti trupin e saj në dyshemenë e dhomës së gjumit. Një rrip çante sportive ishte lidhur rreth qafës së saj dhe te doreza e dollapit. Telefoni i saj ndodhej pranë trupit dhe, sipas hetuesve federalë, ishte bllokuar në orën 21:13 të 1 shkurtit.
Zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të Massachusettsit e shpalli vdekjen vetëvrasje. Por familjarët e saj nuk e besuan kurrë këtë version.
Sandra donte të bëhej nënë. Ajo kishte blerë rroba për foshnjën dhe po bënte plane për të ardhmen. Kushërira e saj, Angelique Pirozzi, ka thënë se Sandra ishte jashtëzakonisht e lumtur për shtatzëninë.
“Vetëm për këtë fliste. Ishte shumë e emocionuar. Ishte një ëndërr e saj. Shkëlqente nga lumturia”, ka thënë ajo.
Vetëm pak ditë pas vdekjes së Sandrës, Pirozzi kontaktoi autoritetet lokale dhe kërkoi që rasti të hetohej më thellë.
“Askush në jetën e Sandrës nuk besonte se ajo do të vriste veten”, ka deklaruar ajo.
“Por dukej sikur askush nuk donte ta merrte seriozisht mundësinë që kjo të mos ishte vetëvrasje”.
Më shumë se tri vjet më vonë, hetuesit federalë ndërhynë. Në gusht 2024, një juri federale ngriti akuza tronditëse kundër oficerit të policisë Matthew Farwell. Sipas akuzave, ai e vrau Sandrën për ta penguar të zbulonte lidhjen seksuale që kishte nisur me të kur ajo ishte vetëm 15 vjeçe.
Farwell punonte në Departamentin e Policisë së Stoughtonit dhe në atë kohë gruaja e tij priste fëmijën e tretë. Ai besonte se foshnja që mbante Sandra ishte e tij. Megjithatë, një test ADN-je pas vdekjes tregoi se ai nuk ishte babai biologjik.
Farwell është deklaruar i pafajshëm për akuzat për vrasje dhe shkelje të ligjit federal për mbrojtjen e fëmijëve të palindur.
Avokatët e tij argumentuan se ditarët e Sandrës tregonin se ajo kishte menduar për vetëvrasje. Por hetuesit federalë thanë se prova të tjera tregonin krejt të kundërtën.
Në dyshemenë e dhomës u gjet një varëse flamingo e thyer. Gjithashtu, kamerat e sigurisë treguan një person me kapuç dhe maskë që hyri në ndërtesën e saj atë natë dhe u largua 29 minuta më vonë.
Historia e ditës së fundit të Sandrës dhe jetës së saj tragjike bazohet në dokumente gjyqësore, intervista me familjarët dhe policinë, si dhe të dhëna të marra nga telefoni dhe laptopi i saj. Këto zbuluan një fëmijëri të vështirë, një marrëdhënie të dyshuar abuzive me një mentor të rritur dhe një shkak vdekjeje që më vonë u vu seriozisht në dyshim.
Sandra u rrit kryesisht nga nëna e saj, Denise Birchmore, e cila vuante nga sëmundje të zemrës, emfizema dhe astma. Si fëmijë i vetëm, Sandra mori përgjegjësi kujdesi që në moshë të vogël.
Familjarët e kujtojnë si një vajzë të lumtur, me sy të kaltër të ndritshëm dhe njolla të vogla në fytyrë.
Meqë babai nuk ishte pjesë e jetës së saj, nëna mendoi se Sandra kishte nevojë për modele pozitive mashkullore. Në vitin 2010, kur Sandra ishte 12 vjeçe, ajo u regjistrua në programin rinor të policisë “Explorers”, që prezantonte të rinjtë me karrierën në zbatimin e ligjit.
Dy vjet më vonë, Matthew Farwell iu bashkua policisë së Stoughtonit dhe u bë instruktor në program.
Sandra dukej se po ecte mirë. Ajo postonte foto me uniformën e programit dhe në vitin 2013 njoftoi në Facebook se kishte arritur gradën e rreshteres.
Por, sipas prokurorëve, në atë kohë Farwell kishte nisur fshehurazi ta manipulonte. Ai fitoi besimin e saj dhe të familjes duke e ndihmuar me detyrat e shkollës.
Shpejt, ai nisi ta takonte në veturën e policisë ose në kamionin e tij për marrëdhënie seksuale, ndonjëherë edhe gjatë orarit të punës. Sipas dokumenteve federale, Sandra madje mungonte në mësime dhe humbi edhe mbrëmjen e maturës për të qenë me të.
Hetuesit thanë se marrëdhënia seksuale vazhdoi nga mosha 15-vjeçare deri në vdekjen e saj në moshën 23-vjeçare.
Në Massachusetts mosha në të cilën një person konsiderohet ligjërisht mjaftueshëm i rritur për të dhënë pëlqimin për pjesëmarrje në aktivitet seksual, është 16 vjeç.
Hetuesit shkruan se Farwell “përdori autoritetin dhe qasjen e tij për ta manipuluar, shfrytëzuar seksualisht dhe abuzuar”.
Familjarët nuk e dinin se marrëdhënia ishte bërë seksuale. Ata mendonin se ai thjesht po e ndihmonte në shkollë.
Në vitin 2016, nëna e Sandrës vdiq pas një goditjeje në tru. Vetëm një muaj më vonë vdiq edhe gjyshja e saj. Humbja e dy grave më të rëndësishme të jetës së saj e la Sandrën pa sistem mbështetjeje dhe ajo ra në depresion.
Sipas prokurorëve federalë, në atë kohë edhe disa oficerë të tjerë policie kishin marrëdhënie seksuale me të, përfshirë vëllain binjak të Matthew-t, William Farwell.
Shefja e policisë së Stoughtonit, Donna McNamara, ka thënë se hetimi i brendshëm zbuloi “një model abuzimi dhe sjelljeje të neveritshme nga disa burra të lidhur me departamentin”.
Katër oficerë, përfshirë vëllezërit Farwell, humbën licencat dhe nuk lejohen më të punojnë në polici.
Muajt para vdekjes së saj, thashethemet për marrëdhënien me Matthew Farwell kishin filluar të përhapeshin. Një mik i Sandrës kishte telefonuar policinë e Stoughtonit dhe kishte raportuar lidhjen seksuale mes tyre.
Kur Farwell e kishte marrë vesh, ai i kishte dërguar Sandrës mesazhe plot sharje.
Familjarët i kishin kërkuar Sandrës të largohej prej tij. Por kushërira e saj ka thënë se manipulimi psikologjik e kishte bërë shumë të vështirë për të.
Në tetor 2020, Sandra i kishte vendosur ultimatum Farwellit: nëse pranonte të kishte një fëmijë me të, ajo nuk do ta zbulonte lidhjen e tyre.
Ajo i kishte dërguar atij periudhën e ovulacionit dhe të dy kishin planifikuar marrëdhëniet seksuale sipas ciklit të saj.
Në dhjetor, Sandra i kishte dërguar mesazh duke i thënë se ishte shtatzënë dhe i kishte dërguar një poster ku shkruhej: “Urime, do të bëhemi prindër”.
Ajo kishte edhe kërkesa të qarta: donte që fëmija të mbante mbiemrin e tij dhe ai të ishte pranë gjatë lindjes.
Ndonjëherë, Farwell i kërkonte asaj të fshinte bisedat e tyre me tekst. Në një shkëmbim për foshnjën, ai i kishte thënë Sandrës se po kërkonte më shumë sesa kishte pasur ndonjëherë më parë.
Por prokurorët kanë thënë se Farwell nuk ishte i lumtur për shtatzëninë. Sipas një miku të Sandrës, ai i kishte thënë: “Ai nuk është fëmija im”, dhe madje e kishte shtyrë fizikisht.
Të dhënat nga iPhone dhe laptopi i Sandrës ndihmuan hetuesit federalë të bashkonin momentet kyç në marrëdhënien e saj me Matthew Farwell. Mesazhet me tekst krijuan një regjistër të detajuar të komunikimeve dhe lëvizjeve të tyre në muajt, ditët dhe orët para vdekjes së saj.
Gjurma dixhitale daton vite më parë. Ajo tregon se Farwell i kishte dërguar asaj një kërkesë për miqësi në Facebook në tetor 2012, kur ai ishte 26 vjeç.
Gjatë viteve, çifti bëri referenca për fillimin e marrëdhënies së tyre, duke përfshirë mesazhe nga Sandra se ajo kishte ndjerë “flutura në bark” ditën kur ai kishte kryer marrëdhënie me të për herë të parë, kur ajo ishte 15 vjeçe, thuhet në deklaratën nën betim.
Gjatë një prej vizitave të tij të fundit në apartamentin e saj, Sandra i kishte dërguar një mesazh një shoqeje se e kishte vënë re atë duke inspektuar dollapin dhe banjën e saj dhe se mendonte se ishte “shumë e çuditshme”. Hetuesit pretendojnë se ai po kërkonte në apartament një vend për të inskenuar vdekjen e saj.
Më 1 shkurt 2021, në orën 21:08, Farwell i kishte shkruar Sandrës duke e pyetur nëse mund të shkonte në apartamentin e saj. Ajo i ishte përgjigjur se dera do të ishte e hapur.
Ishte mesazhi i fundit që ajo kishte dërguar.
Kamerat tregonin se ai kishte hyrë katër minuta më vonë me kapuç dhe maskë mjekësore. Rreth 30 minuta më vonë ishte larguar.
Avokatët e Matthew Farwell pretendojnë se Sandra Birchmore kishte prirje vetëvrasëse.
Farwell, 40 vjeç, ndodhet në burg që nga arrestimi i tij në gusht të vitit 2024.
Avokatët e tij kërkuan lirimin me kusht pasi analizat e ADN-së treguan se ai nuk ishte babai biologjik i foshnjës që Sandra mbante në bark. Hetuesit nuk kanë zbuluar se kush është babai i vërtetë. Megjithatë, prokurorët kanë deklaruar se Farwell besonte se fëmija ishte i tij në kohën e vdekjes së Sandrës.
“Fakti që Farwell e besonte këtë, dhe jo fakti që ai po gabonte, do të jetë më i rëndësishmi në gjyq”, shkruan prokurorët në një dokument të prillit 2026 kundër lirimit të tij me kusht.
Në të njëjtin dokument, prokurorët thanë se ADN-ja e Farwell u gjet në të brendshmet e Sandrës dhe në rripin e çantës sportive që ishte rreth qafës së saj.
Megjithatë, avokatët e Farwell argumentuan se ADN-ja e tij ishte vetëm një nga katër profilet e ADN-së të gjetura në apartament, në të brendshmet dhe në rripin e çantës.
“Përzierjet komplekse të ADN-së nuk mund të përdoren për të identifikuar me siguri një individ të caktuar”, ka thënë avokatja e tij, Joanne Daley, gjatë seancës për paraburgimin.
Në dokumentet gjyqësore, mbrojtja e Farwell argumenton se Sandra kishte mendime vetëvrasëse dhe një histori problemesh të shëndetit mendor që datonin prej 14 vjetësh. Por prokurorët kanë thënë se kishin folur me familjarët, miqtë dhe terapisten e saj, të cilët të gjithë deklaronin se ajo nuk mund të ishte vetëvrasëse.
“Birchmore kaloi periudha të jetës së saj me depresion dhe ankth. Ky nuk është sekret. Dhe ndoshta kjo lidhej pjesërisht me faktin se ajo ishte shfrytëzuar nga një oficer policie që nga fëmijëria, dhe ishte detyruar të përfshihej në fantazi përdhunimi”, kanë shkruar prokurorët federalë.
“Depresioni dhe ankthi nuk do të thonë domosdoshmërisht mendime vetëvrasëse”, kanë shtuar ata.
Më 1 shkurt 2021, ditën që ka vdekur, Sandra kishte kërkuar në Google: “Çfarë ngjyre ka shiriti i vetëvrasjes?” Mbrojtja pretendon se kjo tregon se ajo po mendonte për vetëvrasje, por prokurorët kanë thënë se ajo thjesht ishte bërë kurioze pasi kishte parë shirita të tillë në rrjetet sociale.
Sipas mbrojtjes, në ditarin e saj ajo kishte shkruar mënyra për të kryer vetëvrasje, përfshirë përdorimin e një litari.
Mirëpo, gjatë seancës për lirimin me kusht, avokatët e Farwell kanë thënë se ai nuk e mohon që kishte shkuar në apartamentin e saj atë mbrëmje.
“Ai ishte atje atë ditë. Ata u grindën, ai i dha fund marrëdhënies, i tha se nuk ishte babai i fëmijës dhe më pas u largua”, ka thënë Daley në gjykatë.
Por prokurorët e kundërshtuan këtë version në deklaratën e tyre zyrtare.
“Sapo hyri brenda, ai e vrau dhe më pas inskenoi trupin dhe apartamentin për ta bërë të dukej sikur Birchmore ishte vetëvrarë”, kanë thënë ata.
Prokurorët thonë se varësja e saj e thyer dhe kapëset e flokëve të shpërndara në dhomë tregojnë se kishte pasur përleshje. Por mbrojtja e kundërshton këtë interpretim, duke argumentuar se ADN-ja e Farwell nuk u gjet nën thonjtë e Sandrës.
Në seancën për lirimin me kusht muajin e kaluar, prokurorët dhe mbrojtja kanë paraqitur portrete krejtësisht të ndryshme të Farwell.
Mbrojtja e ka paraqitur atë si një veteran të dekoruar të ushtrisë amerikane që kishte shërbyer në Afghanistan dhe kishte marrë medalje si polic për shpëtim jetësh.
Por prokurorët federalë e kanë quajtur Farwell “një njeri të rrezikshëm” dhe kanë paralajmëruar se ai do të bënte gjithçka për të shmangur dënimin e përjetshëm.
Jashtë gjykatës federale në Boston, një grup i vogël protestuesish është mbledhur në shumë prej seancave të Farwell. Ata mbanin pankarta blu ku shkruhej “Drejtësi për Sandra Birchmore” pranë një fotografie të madhe të saj.
Ndërkohë, për familjen e Birchmore, barra emocionale vazhdon. Muajin e kaluar, ekzaminuesi mjekësor i njoftoi për ndryshimin e certifikatës së vdekjes. Shkaku i vdekjes tani figuron “asfiksi”, ndërsa mënyra e vdekjes është “e papërcaktuar”, jo më vetëvrasje.
Pas vitesh pritjeje, familjarët besojnë se drejtësia më në fund mund të arrihet.
“Të gjithë po mbajnë frymën pezull”, ka thënë Angelique Pirozzi.
Prokurorët besojnë se ai e ka vrarë dhe më pas e ka inskenuar skenën si vetëvrasje.
Izvor: prizrenpost
Etiketa: Aktualnost



