Srijeda, 9 Septembra 2026

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe tre të akuzuarve të tjerë në rigjykimin për rastin e njohur si “53-milionëshi”.
Trupi gjykues i Departamentit Special, i kryesuar nga gjyqtarja Violeta Namani, e ka shpallur Lekajn fajtor për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe e ka dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim.
Përveç dënimit me burgim, Lekajt i është ndaluar për 3 vjet e 6 muaj ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo në shërbimet publike. Dënimi plotësues do të zbatohet pas vuajtjes së dënimit me burgim.
Në këtë rast janë shpallur fajtorë edhe Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, të cilët janë dënuar me nga 1 vit e 8 muaj burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje.
Shatrit dhe Tahirit u është shqiptuar edhe ndalimi për nga dy vjet i ushtrimit të funksioneve në administratën publike apo në shërbimet publike, pas mbajtjes së dënimeve me burgim.
Ndërkaq, Eset Berisha është shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe është dënuar me 3 vjet e 3 muaj burgim.
Rasti lidhet me pagesën shtesë prej 53.1 milionë eurosh ndaj kompanisë “Bechtel & Enka” për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”.
Çështja ishte kthyer në rigjykim pasi Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e parë dhe e kishte kthyer rastin në rivendosje.
Avokatura Shtetërore, në cilësinë e palës së dëmtuar, është udhëzuar që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në kontest të rregullt juridiko-civil.
Të dënuarit janë obliguar t’i paguajnë shpenzimet e procedurës penale dhe nga 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. Aktgjykimi ende nuk është i formës së prerë.
Izvor: prizrenpost
Etiketa: Aktualnost


