Çarşamba, Ağustos 26th 2026

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve për autostradën Shkup-Bllacë, projekt që synon të forcojë lidhjen infrastrukturore dhe ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Në fjalën e tij, Kurti e cilësoi nisjen e punimeve si një moment të rëndësishëm për të dyja vendet, duke theksuar se projekti do të ndikojë jo vetëm në shkurtimin e distancës, por edhe në rritjen e bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik.
“Jam i lumtur që ndodhem këtu bashkë me ju, në këtë moment kur po hidhen themelet e një lidhjeje të re dhe moderne midis dy vendeve tona”, tha Kurti.
Autostrada Shkup-Bllacë do të përfshijë pesë tunele, tetë ura dhe katër galeri. Sipas Kurtit, kjo infrastrukturë do ta forcojë ndjeshëm lidhjen ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Ai theksoi se lëvizja ndërmjet dy vendeve është e përditshme për familjet, studentët, punëtorët, profesionistët dhe bizneset.
“Vetëm përmes pikës doganore në Han të Elezit kalojnë rreth 54 mijë maune në vit, apo rreth 150 maune në ditë”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, autostrada e re do ta bëjë qarkullimin më të shpejtë, më të sigurt dhe më efikas, ndërsa bizneset do të kenë mundësi më të mëdha për transportin e mallrave, zgjerimin e tregjeve dhe krijimin e partneriteteve të reja.
Kurti tha se projekti është pjesë e rrjetit evropian TEN-T, duke e cilësuar atë si pjesë të një vizioni më të gjerë për lidhjen e Kosovës me vendet fqinje dhe korridoret evropiane.
“Përmes Kosovës e afron Shkupin me Prishtinën dhe më tej me rrjetet dhe tregjet evropiane”, u shpreh ai.
Kryeministri përmendi edhe projekte të tjera infrastrukturore që synojnë forcimin e lidhjeve rajonale, përfshirë Linjën 10 hekurudhore, e cila lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut, si dhe projektin Prizren-Tetovë përmes tunelit.
“Këto projekte janë ura gjigande të zhvillimit, të bashkëpunimit dhe të afrimit mes qytetarëve tanë”, tha Kurti.
Ai vlerësoi se nisja e punimeve është veçanërisht domethënëse, pasi projekti është premtuar prej vitesh dhe ka rëndësi të madhe për qytetarët dhe ekonomitë e të dyja vendeve.
Në fund, Kurti falënderoi Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë kontribuuesit për nisjen e projektit, ndërsa një falënderim të veçantë e adresoi edhe për koalicionin e partive shqiptare për kontributin në realizimin e këtij projekti.
“Urime fillimi i punimeve të autostradës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve që do ta shfrytëzojnë këtë rrugë”, përfundoi Kurti.
Kaynak: prizrenpost
Etiketa: Aktüel
