2026-a rikthen në ekran “Zorro”-n, heroin e luftës kundër padrejtësive


E premte, 9 Janar 2026

Zorro, heroi legjendar i maskuar, rikthehet këtë vit në ekranet televizive, përmes një këndvështrimi krejtësisht të ri dhe provokues. Seriali i ri francez, me protagonist aktorin fitues të Çmimit Oskar, Zhan Dyzhardë, e zhvesh personazhin nga klishetë e thjeshta të filmave aksion, për ta shndërruar atë në një simbol të luftës së klasave dhe kritikës ndaj populizmit modern.

Në dallim nga versionet e mëparshme, ky Zorro na njeh me një Don Diego De la Vega në të pesëdhjetat, i cili shërben si kryetar bashkie i Los Anxhelosit. Ai përpiqet t’i mbrojë qytetarët përmes politikës, por përballet me manjatë të pasur që e përdorin korrupsionin për të vjedhur burimet natyrore, siç janë burimet ujore të popullatës indigjene.

Krijuesi i serialit, Benxhamin Sharbit, e përshkruan këtë version si “shumë evropian”, duke argumentuar se një trajtim i tillë politik i heroit vështirë se do të mund të xhirohej në Shtetet e Bashkuara.

Në këtë rrëfim, Zorro përshkruhet si një lloj “marksisti” natyral. Ndërsa ashtu si Diego ai është një fisnik që gëzon privilegje, kur vesh pelerinën dhe maskën, ai thyen kufijtë socialë dhe kërkon drejtësi për të shtypurit.

Seriali shmang dhunën e ekzagjeruar dhe armët e zjarrit, tipike për prodhimet kinematografike amerikane, duke u fokusuar te mjeshtëria e cirkut, akrobacitë dhe galopi. Një qasje e tillë, i jep personazhit një hijeshi më njerëzore dhe organike.

Përveç luftës ekonomike, seriali trajton tema tejet aktuale si urrejtja ndaj emigrantëve dhe të drejtat e njerëzve indigjenë. Xhirimet e realizuara në rajonet spanjolle Kastija-La Mança dhe Almeria, i japin prodhimit një estetikë realiste dhe historike.

Në qendër të historisë është edhe marrëdhënia e komplikuar e Diegos me bashkëshorten e tij, luajtur nga aktorja Odri Dana. Kjo e fundit është shprehur se ky version i ri i Zorro-s guxon që të tregojë plakjen e personazheve dhe rrudhat, duke sfiduar frikën e botës moderne nga vdekja dhe kalimi i kohës.

Kthimi i Zorros në vitin 2026, nuk është thjesht nostalgji. Në një botë ku pasuria është e përqendruar në duart e pakicës, ky “hakmarrës” i ri shërben si një thirrje për dhembshuri dhe shpresë. Për Benxhamin Sharbit, Zorro është zgjidhja për problemet e sotme jo përmes dhunës, por përmes guximit për t’u ngritur dhe për t’i thënë gjërat qartë kundër padrejtësisë.


Burimi: tesheshi

Të fundit