35% e popullatës mbi 18 vjeç kanë marrë dy doza të vaksinës anti-COVID


E diel, 19 Shtator 2021

PRIZREN – Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se deri tani mbi 440 mijë qytetarë janë vaksinuar me dy doza apo 35% e popullatës së rritur – mbi 18 vjeç.

Sipas njoftimit, procesi i vaksinimit po vazhdon dhe me këtë ritëm janë në rrugë të mbarë që të tejkalojnë cakun prej 60% të popullatës së rritur deri në fund të vitit.

“Nga sot kemi nën 10.000 raste aktive, për herë të parë pas 15 gushtit, kurse sot pozitivitet i rasteve të reja është vetëm 2.98%, më i ulëti që nga 2 gushti.
Familjeve të viktimave nga COVID-19 u shprehim ngushllimet më të sinqerta”.

“Le të vazhdojmë me kujdes, duke i respektuar masat dhe duke u vaksinuar. Bashkë ia dalim!”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se të dielën janë regjistruar 10 viktima me coronavirus si dhe janë regjistruar edhe 173 persona me COVID-19.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar të dielën se në spitalet e Kosovës janë duke u trajtuar 591 pacientë të infektuar me koronavirus, për dallim nga 598 sa kanë qenë një ditë më parë.

Prej tyre, 49 pacientë janë në kujdes intensiv derisa 458 pacientë janë në oksigjenoterapi.

Që nga shpërthimit të pandemisë në mars të vitit 2020, Kosova ka regjistruar mbi 158.000 raste të infektimit – prej tyre 2.899 persona kanë vdekur.

Etiketa: , , , , , ,
Të fundit