E shtunë, 25 Korrik 2015
Ani pse janë 46 persona që kanë humb jetën në aksidente rrugore vetëm gjatë gjashtë-mujorit të parë, për Policinë e Kosovës aksidentet me fatalitet këtë vit kanë shënuar rënie. Ata bëjnë krahasim me vitin e kaluar, ku për gjashtë-mujorin e parë ishin 63 persona që mbetën të vdekur.
Gjatë periudha janar-qershor 2015 janë shënuar 41 aksidente me fatalitet, ndërsa viti 2014 shënonte 12 aksidente më shumë. Sipas PK-së, shkaktar kryesor i këtyre aksidenteve mbesin shpejtësia dhe mos-respektimi i shenjave të komunikacionit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani thotë për KosovaPress se, krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit ka 26.98 për qind më pak persona që kanë humbur jetën në aksidente rrugore.
“Nëse i referohemi nga janari deri qershor të vitit 2014 ka ndodhur 53 aksidente me pasoja fatale, ndërsa nga janari deri në qershor të 2015 janë 41 aksidente. Ndërsa nëse i referohemi numrit të personave që kanë humbur jetën në këto aksidente fatale, më len të nënkuptojë se në periudhën e 2014-ës deri në qershor kanë humbur jetën 63 persona. Ndërsa, tani në periudhën janar-qershor të 2015-ës nga 63 sa kanë qenë vitin e kaluar janë 46 që kanë humb jetën, pra kjo tregon se për 26.98 për qind ka më pak persona që kanë humbur jetën se sa vitin e kaluar”, tha Kelani.
Kelani tregon për shkaqet kryesore që qojnë deri tek aksidentet me fatalitet. Sipas tij, ato kryesoret janë shpejtësia dhe mos-respektimi i rregullave në trafik.
“Faktorët të cilët janë ndër faktorët më kontribuues, duke filluar nga faktori njeri janë tejkalimi i shpejtësisë, janë mos respektimi i shenjave të komunikacionit rrugor, duke pasuar më pastaj me mos mbajta e distancës, tejkalimet e pa sigurta e deri tek ato që janë më pak kontribuues duke përfshirë shenjat tjera që kanë të bëjnë me kthim, gjysmë kthim, mos vendosjes së rripit të sigurisë. Mirëpo, ndër faktorët kyç janë tejkalimi i shpejtësisë dhe mos respektimi i shenjave të komunikacionit rrugor”, tha Kelani.
Megjithatë, numri i aksidenteve në komunikacion rrugor vazhdon të jetë shqetësues në Kosovë.
Në Klinikën Emergjentë në QKUK këtë gjashtë-mujor ka rritje të numrit te të lënduarve në aksidente rrugore, ndërsa ka rënie te të vdekurve.
Shefi i Emergjencës, Basri Lenjani thotë për KosovaPress se në periudhën janar-qershor 2015 janë 2995 persona që kanë marrë lëndime në aksidente rrugore, derisa të vdekur në klinikë kanë mbetur 6.
“Në Klinikën Emergjente, ndihmë emergjente mjekësore kanë kërkuar 2995 të lënduar si pasojë e ndeshjeve të cilat lëndime kanë ndodhur në aksident komunikacioni. Dhe numri gjithëmbarshëm identifikohet me 6 të vdekur në klinikën tonë gjithsej do me thënë për periudhën gjashtë mujore duke i bërë krahasimet me vitin e kaluar kemi rritjen e numrit të lënduarve në aksidente ndërsa kemi zvogëlim të numrit të vdekur në aksidente në komunikacion”, tha Lenjani.
Faktorë tjetër të cilët mund të ndikojnë deri tek aksidentet në trafik, sipas Lenjanit mund të jenë edhe temperaturat e larta të cilat po mbretërojnë në Kosovë si dhe ardhja e mërgimtarëve në Kosovë.
Shtimi i automjeteve në komunikacion gjatë kësaj sezone ka shkaktuar edhe kolona të gjata në rrugët regjionale si dhe ato që të shpien deri në qendër të qytetit. E Kjo po i shqetëson qytetarët e Kosovës.
Ndërkohë Policia e Kosovës, ka shtuar edhe numrin e gjobave, ku brenda 24 orëve shqiptohen 800 deri në 1 mijë gjoba.
Numri përgjithshëm i aksidenteve në komunikacion gjatë vitit 2013 në Kosovë ishte 19 mijë 954 prej tyre me fatalitet 104 aksidente, me 119 të vdekur dhe të lënduar 9817 persona. Në 2014 numri i përgjithshëm ishte 16 mijë e 300 me fatalitet, 111 aksidente me të vdekur, të lënduar 9713. Krahasuar me dy vitet paraprake në vitin 2015 janë 7376, me fatalitet 41, të vdekur 46 , të lënduar 4207.
Kështu, del që për tre vite kanë humbur jetën 276 qytetarë.
Etiketa: Aksidente, Kosovë, Policia