Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

5 ditë aksion në Lazarat, pritet ndërhyrje nga ajri

Prizren Post | 15:39 - 19.06.2014

”Beteja” mes policisë dhe trafikantëve lazaratas e ka kthyer fshatin në një shesh lufte. Mortaja, mitraloza të rëndë dhe të lehtë, antitanke, autoblinda e deri snajpera në përdorim. Breshëri armësh nga grupi rebel dhe kundërpërgjigje nga forcat e policisë dhe ato speciale.

Banorë të “ngujuar” prej pesë ditësh në shtëpitë e tyre që nxitojnë të dalin sa për të blerë ndonjë gjë dhe rikthehen sërish në banesa. Nga ana tjetër policia, RENEA dhe FNSH në bazë të një plani operacional të mirëorganizuar përpiqen që të detyrojnë kriminelët të dorëzohen dhe të mos ketë viktima. Ky është Lazarati që nga pasditja e së dielës.

Forcat e Policisë së Shtetit po vijojnë prej 5 ditësh depërtimin hap pas hapi për në brendësi të fshatit Lazarat, duke ushtruar kontroll në territoret e banesave, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës.

Në terren janë rreth 800 forca policore të mbështetura nga mjete të posaçme, forca të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, forcave speciale RENEA, forca të FNSH-së së Fierit, Shkodrës dhe Tiranës, Delta Forcë në Vlorë, si dhe shërbime të tjera speciale të Drejtorive të Policisë së Qarqeve të tjera, si forcat elitë të shërbimeve të Tiranës, Shkodrës etj. Po ashtu janë rreth 60 automjete policie në lëvizje.

Në kuadër të këtij operacioni deri në këto momente janë arrestuar 13 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për kultivimin kanabisi, kundërshtim të punonjësve të policisë apo për shkatërrim prone.

Sipas policisë, gjatë ditës së djeshme janë vënë në pranga 5 persona, të dyshuar si autorë të sulmit me armë ndaj efektivëve. Në pranga kanë rënë shtetasit: Rustem Xhemal Mahmutaj, vjeç 19, banues në Lazarat, Teslim Xhemal Mahmutaj, vjeç 22, banues në fshatin Lazarat, Vandam Razip Mahmutaj, vjeç 19, banues në Lazarat, Hysen (Neni) Çela, vjeç 48, nga Lazarati.

Këta shtetas akuzohen për veprat penale vrasje e punonjësve të policisë e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim, mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak, kultivimi i bimëve narkotike. Të arrestuarit dyshohen se së bashku me persona të tjerë kanë qëlluar me armë në drejtim të forcave të policisë gjatë operacionit të ndërmarrë nga forcat e policisë në fshatin Lazarat.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Vandam Mahmutaj janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1363 kg hashash, 8500 rrënjë bimë narkotike, 1000 fishekë model 56, 225 gëzhoja model 56, 1 granatë dhe një armë pistoletë shenjëdhënëse, si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh të llojeve të ndryshme./BW/


Etiketa:
Arivisti Company