E diel, 15 Mars 2026

Sot njerëzimi po përballet me kërcënime masive si rezistenca ndaj antibiotikëve, e cila rrezikon të shkaktojë 8 milionë vdekje në vit deri në 2050. Por Inteligjenca Artificiale po ofron një mburojë të re.
James Collins në MIT, ka demonstruar fuqinë e kësaj teknologjie duke shqyrtuar 45 milionë struktura kimike brenda pak ditësh, proces që tradicionalisht do të kërkonte vite. Përmes kësaj metode, ai ka identifikuar përbërës të rinj kundër superbaktereve si MRSA dhe gonorreja, të cilat po bëheshin të pathyeshme nga mjekësia klasike.
Por ky revolucion nuk ndalet vetëm te bakteret. Në Universitetin e Kembrixhit, shkencëtarët po përdorin mësimin automatik për të kuruar sëmundjen e Parkinsonit. Për herë të parë pas dy shekujsh pasiguri, IA po identifikon molekula që mund të stabilizojnë proteinat në tru, duke synuar ndalimin e sëmundjes përpara se të shfaqen simptomat e para.
Fuqia e IA-së qëndron në aftësinë për të lundruar në një “univers” molekulash më të madh se numri i atomeve në hapësirë, duke e bërë kërkimin miliona herë më të shpejtë dhe më të lirë. Një tjetër front premtues është ripërdorimi i barnave ekzistuese.
Shembulli i David Fajgenbaum, i cili shpëtoi veten nga sëmundja vdekjeprurëse Castleman duke përdorur një ilaç për transplantin e veshkave, ka frymëzuar krijimin e platformave si “Every Cure”.
Këto algoritme krahasojnë mijëra barna të miratuara me 17.000 sëmundje të ndryshme, duke gjetur kura të fshehura për sindromën Pitt-Hopkins apo kanceret e rralla të fëmijëve që shpesh anashkalohen nga industria farmaceutike.
Ndërkohë, në Universitetin McGill, studiuesit po krijojnë “qeliza virtuale” për të simuluar progresin e sëmundjeve të mushkërive si Fibroza Pulmonare Idiopatike, duke testuar trajtime në mjedise dixhitale përpara se ato të kalojnë te pacienti.
Edhe pse mbeten ende sfida siç është privatësia e të dhënave farmaceutike, ekspertët parashikojnë që brenda dekadës shumica e zhvillimit të barnave do të udhëhiqet nga Inteligjenca Articifiale.
Ky tranzicion po e kthen mjekësinë nga një proces prove dhe gabimi në një shkencë super të saktë, duke ofruar shpresë për miliona njerëz që vuajnë nga gjendje shëndetësore që dikur konsideroheshin të pashërueshme. /tesheshi.com/
Burimi: tesheshi
