Laporta me fjalë të mëdha për Yamalin, e ka një “selam” edhe për Lewandowskin


E martë, 17 Mars 2026
Laporta me fjalë të mëdha për Yamalin, e ka një “selam” edhe për Lewandowskin

Joan Laporta, i rizgjedhur në krye të Barcelonës së fundmi, ka folur për disa çështje kyçe të klubit në një intervistë të fundit, duke dërguar mesazhe të qarta për yjet e skuadrës dhe projektin sportiv për të ardhmen, përcjell “Gazeta Express”.

Në një koment që ka tërhequr vëmendje, Laporta e ka komplimentuar talentin e sulmuesit të ri Lamine Yamal, duke e përshkruar si një “artist” në fushë, duke e nënvizuar aftësinë e jashtëzakonshme të tij për ta bërë diferencën në lojë.

Kjo vjen në një kohë kur Barcelona po përgatitet për sfidat e fazës së eliminimit direkt në Champions League dhe kur ylli i ri është një nga lojtarët më të monitoruar të ekipit.

Laporta ka theksuar se klubi dëshiron ta ndërtojë rreth Yamalit një skuadër konkurruese dhe të qëndrueshme afatgjate, ku talentet e rinj si ai e luajnë një rol qendror në projektin sportiv.

Në lidhje me të ardhmen e sulmuesit Robert Lewandowski, Laporta e ka bërë të qartë se Barcelona dëshiron ta ketë atë edhe sezonin e ardhshëm, nëse lojtari është i gatshëm të vazhdojë.

“Na pëlqen që ai të qëndrojë”, ka thënë presidenti, duke kujtuar se Lewandowski ka ardhur në një moment të vështirë për klubin dhe e ka dhënë një kontribut të rëndësishëm.

Megjithatë, vendimi final do të varet nga dëshira e vetë sulmuesit, i cili do të marrë kohë për të vendosur rreth së ardhmes së tij.

Laporta ka shtuar se pozicioni i sulmuesit qendror është i mbuluar mirë me dyshen Lewandowski – Ferran Torres, por nuk e ka përjashtuar mundësinë e përforcimeve të tjera nëse do të jetë e nevojshme.


Burimi: 04online

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit