A po u vjen fundi alergjive?


E mërkurë, 18 Mars 2026
A po u vjen fundi alergjive?

Më shumë se 400 milionë njerëz në botë vuajnë nga riniti alergjik, i njohur si “ethet e sanës”. Ky inflamacion i kanaleve të hundës, shkaktohet nga reagimi i gabuar i sistemit imunitar ndaj polenit, pluhurit apo qimeve të kafshëve.

Përveç simptomave dobësuese si teshtimat dhe vështirësia në frymëmarrje, alergjitë e patrajtuara rrisin rrezikun e infeksioneve të frymëmarrjes dhe zhvillimit të astmës, sidomos te fëmijët.

Sipas ekspertëve si Glenis Scadding dhe Stephen Durham, problemi i madh është se kjo sëmundje shpesh banalizohet nga mjekët dhe pacientët, duke u mjaftuar me antihistaminikë të thjeshtë në vend të trajtimeve parandaluese afatgjata.

Megjithatë, lajmi i mirë është se sot ekzistojnë terapi që nuk trajtojnë vetëm simptomat, por synojnë “kurimin” e trupit. Imunoterapia me alergjenë (AIT) funksionon duke e desensibilizuar trupin ndaj shkaktarit të alergjisë. Dikur kjo bëhej vetëm përmes injeksioneve, të cilat, ndonëse efektive, mbartnin një rrezik të vogël anafilaksie.

Sot, pika e kthesës është imunoterapia sublinguale (pika ose tableta nën gjuhë). Kjo metodë është më e sigurt dhe mund të administrohet nga vetë pacienti. Studimet tregojnë se nëse trajtimi nis 16 javë para sezonit të polenit dhe vazhdon për tre vjet, ai mund të shkaktojë një zhdukje afatgjatë të sëmundjes.

Për shembull, një studim me fëmijë tregoi se ata që morën imunoterapi kishin 29 për qind më pak gjasa të zhvillonin astmë. Sfidë mbetet disiplina e pacientit për t’iu përmbajtur protokollit 3-vjeçar dhe kufizimi i llojeve të polenit që aktualisht mund të trajtohen me këtë metodë.

Për ata që nuk mund t’i nënshtrohen imunoterapisë, trajtimi më efektiv mbetet spreji i hundëve që kombinon antihistaminën me kortikosteroidet. Çelësi i suksesit është nisja e përdorimit përpara se të shfaqen simptomat e para dhe përdorimi i rregullt ditor.

Ndryshe nga ilaçet e vjetra, antihistaminikët e gjeneratës së dytë (si cetirizina apo loratadina) janë më efektivë dhe nuk shkaktojnë përgjumje të rrezikshme. Gjithashtu, masat mjedisore luajnë një rol mbështetës: mbajtja e dritareve mbyllur, përdorimi i pastruesve të ajrit dhe dushi i detyrueshëm para gjumit për të larguar polenin nga flokët dhe lëkura. /tesheshi.com/


Burimi: tesheshi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit