E shtunë, 11 Prill 2026

Një studim i ri dhe i gjerë, sugjeron se martesa mund të ketë një efekt anësor të papritur: njerëzit që janë ose kanë qenë të martuar kanë më pak gjasa të zhvillojnë kancer sesa ata që nuk janë martuar kurrë.
Ky hulumtim ka ngritur pyetje rreth asaj që na mban vërtet të shëndetshëm: a është dashuria, stabiliteti ekonomik, apo faktorë të tjerë socialë? Studiuesit shqyrtuan diagnozat e kancerit te më shumë se 4 milionë të rritur në dymbëdhjetë shtete të SHBA-së midis viteve 2015 dhe 2022.
Popullsia u nda në dy grupe. Ata që ishin (ose kishin qenë) të martuar dhe ata që nuk ishin martuar kurrë. Rezultatet ishin befasuese. Burrat që nuk ishin martuar kurrë kishin shtatëdhjetë për qind më shumë gjasa të zhvillonin kancer.
Gratë që nuk ishin martuar kurrë, kishin rreth tetëdhjetë e pesë për qind më shumë gjasa të prekeshin nga sëmundja. Ky zbulim sfidon mendimin e mëparshëm, se burrat përfitojnë më shumë nga martesa.
Në këtë rast, gratë duket se fitojnë po aq shumë, veçanërisht pas moshës pesëdhjetë vjeçare, kur stili i jetës ndër dekada fillon të japë pasojat e veta.
Diferenca ishte më e theksuar te kanceret që lidhen me infeksionin HPV, si kanceri anal te burrat (pesë herë më i lartë te të pamartuarit) dhe kanceri i qafës së mitrës te gratë (tre herë më i lartë).
Këto sëmundje janë kryesisht të parandalueshme përmes vaksinimit dhe kontrolleve të rregullta. Studiuesit mendojnë se bashkëshortët shpesh ushtrojnë “presion pozitiv”, për të kryer vizitat mjekësore dhe sigurojnë mbështetje financiare apo siguracion shëndetësor më të qëndrueshëm.
Për kanceret si ai i gjirit apo i prostatës, ku ekzistojnë programe të organizuara kontrolli, diferenca sipas statusit martesor ishte më e vogël.
Po ashtu, një rol luante edhe raca. Burrat me ngjyrë të martuar, kishin shkallë kanceri më të ulët se burrat e bardhë të martuar, duke treguar se martesa mund të jetë veçanërisht mbrojtëse për grupe të caktuara.
Ekspertët sqarojnë se martesa në vetvete nuk është një ”ilaç”. Ka mundësi që njerëzit më të shëndetshëm dhe më të qëndrueshëm ekonomikisht të kenë më shumë gjasa të martohen.
Ata që përballen me varfërinë apo sëmundjet kronike mund të mbeten më shpeshbeqarë, duke rritur rrezikun e kancerit për shkak të këtyre faktorëve bazë.
Në fund të fundit, studimi thekson se trupi ynë ndikohet nga strukturat sociale. Nevoja për mbështetje, qasje në kujdes shëndetësor dhe dikë që na inkurajon të vizitojmë mjekun është jetike.
Sfida e shëndetit publik është që këto përfitime – stabiliteti dhe kujdesi – t’u ofrohen të gjithëve, pavarësisht nëse kanë zgjedhur të thonë “Po”, apo të jetojnë jashtë kornizave tradicionale të martesës. /tesheshi.com/
Burimi: tesheshi
