E diel, 10 Maj 2026

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar gjatë një aksioni të realizuar në rajonin e Gjakovës.
Sipas njoftimit të Policisë në Facebook, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, më 10.05.2026 rreth orës 13:10 është arrestuar shtetasi kosovar me inicialet H.M.
Ai kërkohej përmes Interpol-it, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “vjedhje e rëndë”.
“Pas arrestimit, me urdhër të Prokurorit Kujdestar, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa ndaj tij do të vazhdojnë procedurat e mëtejme ligjore në koordinim me autoritetet kompetente. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin ndërkombëtar policor dhe në realizimin e urdhër arresteve ndërkombëtare, me qëllim të luftimit të krimit dhe forcimit të sundimit të ligjit”, thotë PK./Klankosova.tv
Burimi: klankosova
