E martë, 19 Maj 2026

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë të ish-togerit të Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq, i akuzuar për spiunazh.
Paraprakisht, kjo marrëveshje është arritur mes të akuzuarit Jevtiq dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Prokurori Bekim Kodraliu ka treguar edhe dënimet e rekomanduara për veprat që ngarkohen ndaj Jevtiqit.
Për spiunazh, ai ka rekomanduar shqiptim të dënimit efektiv nga pesë deri gjashtë vjet burgim, për armëmbajtje pa leje është rekomanduar dënim me burgim prej 6 muajve që mund të zëvendësohet me 6000 euro gjobë.
Krahas kësaj është kërkuar edhe t’i konfiskohen paratë e sekuestruara nga i akuzuari, përveç 3000 eurove dhe ndalim i ushtrimit të funksionit në organe shtetërore për periudhë pesëvjeçare.
Gjykata do ta shpallë aktgjykimin sot, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës, Jevtiq akuzohet se nga një periudhë kohore e pacaktuar e deri me datë 17 korik 2025, respektivisht deri në momentin e arrestimit të tij, në cilësinë e zyrtarit policor me gradën toger dhe në detyrën e Shefit të Sektorit të Operativës në Stacionin Policor Kufitar, me dashje dhe në mënyrë të vazhdueshme transmetoi te Shërbimit Inteligjent të Serbisë (BIA) informacione dhe dokumente zyrtare të klasifikuara si “konfidencial” dhe “sekret”, e të cilat ndërlidheshin me sigurinë dhe rendin kushtetues të Repubikës së Kosovës.
Në të shkruhet se i akuzuari ia ka dërguar ato Agjencisë për Siguri dhe Inteligjencë të Serbisë (BIA) dhe se me këtë veprim është rrezikuar rëndë siguria e Kosovës, për çka prokuroria ka kërkuar që dënimi ndaj tij të jetë konform paragrafit 6 të nenit 124 të Kodit Penal, që parasheh dënim nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm.
“Nga një periudhë kohore e pacaktuar e deri më datë 17.07.2025, respektivisht deri në momentin e arrestimit të tij, i pandehuri [e redaktuar], në cilësinë e zyrtarit policor me gradën toger dhe në detyrën e Shefit të Sektorit të Operativës në Stacionin Policor Kufitar [e redaktuar], me dashje dhe në mënyrë të vazhdueshme, ka mbledhur, siguruar dhe transmetuar informacione dhe dokumente zyrtare të klasifikuara si ‘Konfidencial’ dhe ‘Sekret’, që ndërlidhen me sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzën për Bojan Jevtiqin.
Sipas Prokurorisë Speciale, Jevtiqi i ka dërguar BIA-s informata si shkak i të cilave janë rrezikuar jetët e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë së Kosovës e edhe qytetarëve.
Në aktakuzë theksohet se aplikacionet e mesazheve WhatsApp dhe Telegram janë përdorur për t’i transmetuar sekretet shtetërore të zyrtari i BIA-s, me nofkën “Qira”, e me të cilin është takuar edhe fizikisht në disa raste në Beograd.
Burimi: klankosova
