E diel, 31 Maj 2026

Kombëtarja e Kosovës është mposhtur në miqësoren e parë të kësaj jave.
“Dardanët” luajtën sot në Pragë ndaj Çekisë dhe pësuan humbje prej 2-1.
Vendasit ishin të parët që dolën në epërsi, me anë të Tomas Ladra, në minutën e 12-të të takimit.
20 minuta më vonë, çekët e gjetën edhe golin e dytë të takimit, përmes Adam Hlozekit.
Pjesa e parë u mbyll me këto shifra, derisa në të dytën, Kosova u paraqit pak më mirë.
Të besuarit e Franco Fodës arritën të gjejnë golin e zbutjes së epërsisë, në minutën e 80-të të takimit.
Ishte Lindon Emërllahu që shënoi për 1-2, në portën e zbrazët.
Deri në fund, Kosova më nuk pati raste të mira shënimi dhe në fund pësoi një humbje në këtë përballje.
Megjithatë, “Dardanët” do të rikthehen në aksion javën e ardhshme, më 7 qershor, në përballjen ndaj Andorrës në Prishtinë, në stadiumin “Fadil Vokrri”./Express
Burimi: 04online
