Meta e fton në Tiranë kreun e ri të Kuvendit të Kosovës


E hënë, 8 Dhjetor 2014

Tiranë – Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka uruar kreun e sapozgjedhur të Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, për detyrën e re.

Me një mesazh të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit, Meta u ka uruar suksese të gjithë parlamentarëve të rinj të Kosovës gjatë kësaj legjislature.

Në mesazhin e tij, Meta tha se Kuvendi i Shqipërisë është përkrah Kuvendit të Kosovës në rrugëtimin evropian të përbashkët dhe shpreh gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy institucioneve.

“Dëshiroj t’i uroj suksese z. Veseli në detyrën e tij të re dhe urime të gjithë parlamentarëve të Kosovës gjatë kësaj legjislature. Kuvendi i Shqipërisë është përkrah Kuvendit të Kosovës në rrugëtimin evropian të përbashkët. Jemi të gatshëm të thellojmë më tej bashkëpunimin tonë”, ka thënë Kryetari i Kuvendit në urimin e tij për homologun kosovar.

Më tej teksa vlerëson rolin e Kuvendit të Kosovës në forcimin e institucioneve të vendit, Meta ftoi në Tiranë homologun e tij për një vizitë zyrtare.

“Kuvendi i Kosovës ka një rol kyç në forcimin e institucioneve demokratike të vendit. Unë e mirëpres Veseli në Tiranë së shpejti. Shqipëria mbështet avancimin e Kosovës drejt të ardhmes evropiane pa humbur kohë”, tha Meta./shekulli/

Etiketa: , ,
Të fundit