E martë, 30 Qershor 2026

Kapiteni i Gjermanisë, Joshua Kimmich, nuk u përpoq të gjente justifikime pas eliminimit tronditës nga Paraguai në fazën e 1/16 së finales së Kupës së Botës, duke pranuar se skuadra e tij e meritonte plotësisht largimin nga turneu.
Gjermania u eliminua pas humbjes me penallti ndaj Paraguait, duke dështuar për herë të tretë radhazi të arrijë në fazën e 1/8 së finales të një Botërori.
Paraguai, që ishte kualifikuar si një nga skuadrat më të mira të vendeve të treta dhe renditej i 41-ti në klasifikimin e FIFA-s para turneut, përfitoi nga paraqitja zhgënjyese e gjermanëve.
Përveç mungesës së efikasitetit në sulm, Gjermania shfaqi sërish probleme serioze në mbrojtje. Me golin e pësuar ndaj Paraguait, “Die Mannschaft” regjistroi ndeshjen e dhjetë radhazi në Botëror pa e mbajtur portën të paprekur, seria më e keqe në historinë e saj. Hera e fundit që Gjermania nuk pësoi gol ishte finalja e Botërorit 2014 ndaj Argjentinës.
Kai Havertz barazoi rezultatin pas golit të Julio Encisos, por Gjermania nuk arriti të shfrytëzonte rastet e saj dhe në fund u eliminua me rezultatin 4-3 pas penalltive.
Kimmich: Ishte dita më e vështirë e karrierës sime
Pas ndeshjes, Kimmich foli pa dorashka për paraqitjen e skuadrës.
“Ndihem tmerrësisht keq. Nuk luajtëm mirë ndaj asnjë kundërshtari. Në tri ndeshje patëm probleme të mëdha ndaj skuadrave që nuk janë në nivelin më të lartë botëror. Ky është fakt. E merituam plotësisht eliminimin.”
Mesfushori e cilësoi këtë si ditën më të vështirë të karrierës së tij.
“Kur isha fëmijë, Gjermania gjithmonë luante në gjysmëfinale, finale dhe fitonte trofe. Kjo më bëri ta dua kombëtaren. Sot nuk arritëm t’u japim tifozëve asnjë arsye për krenari dhe as të krijojmë entuziazëm.”
Zlatan gives his thoughts about four-time champions Germany exiting in the Round of 32 🇩🇪@Ibra_official pic.twitter.com/PqlugV1BAz
“Si kapiten, përgjegjësia është edhe më e madhe. Të gjithë ne që ishim në fushë duhet ta marrim përgjegjësinë dhe të mos kërkojmë fajtorë te të tjerët. Në fund, dështuam sepse nuk arritëm ta mposhtnim kundërshtarin.”
Havertz: Duhet të shohim veten në pasqyrë
Edhe Kai Havertz, autor i golit të barazimit, pranoi se skuadra ka dështuar sërish në një turne madhor.
“Jam pa fjalë. Ky ishte Botërori im i dytë dhe për herë të dytë kemi dështuar.”
“Turnetë e fundit kanë qenë katastrofë. E vetmja gjë që mund të them është: më vjen keq. Ne lojtarët duhet ta analizojmë seriozisht veten. Përfaqësojmë një vend të madh me një histori të jashtëzakonshme futbolli dhe nuk kemi qenë në lartësinë e saj.” /GazetaExpress/
Burimi: 04online
