Rooney e ‘këshillon’ Anglinë që menjëherë ta zëvendësojë Tuchelin me një trajner “top-klas”


E shtunë, 18 Korrik 2026
Rooney e ‘këshillon’ Anglinë që menjëherë ta zëvendësojë Tuchelin me një trajner “top-klas”

Wayne Rooney beson se ekziston vetëm një kandidat që duhet ta zëvendësojë Thomas Tuchelin në stolin e Anglisë.

Tuchel është përballur me kritika të shumta nga lojtarët, tifozët dhe një pjesë e madhe e mediave sportive pas humbjes 2-1 të Anglisë ndaj Argjentinës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.

Anglia kaloi në epërsi në fillim të pjesës së dytë me golin e Anthony Gordonit, por në vend që të kërkonte golin e dytë, trajneri gjerman bëri atë për të cilën janë kritikuar shpesh paraardhësit e tij.

Ish-trajneri i Chelseat kaloi në një skemë me pesë mbrojtës, duke zëvendësuar autorin e golit, Gordonin, me Ezri Konsan, përpara se të aktivizonte edhe Dan Burnin dhe Nico O’Reillyn pak minuta më vonë.

“Tre Luanët” u ndëshkuan për këtë qasje mbrojtëse, pasi presioni i vazhdueshëm i Argjentinës solli përmbysjen me golat e vonshëm të Enzo Fernandezit dhe Lautaro Martinezit.

Pas ndeshjes, Tuchel fajësoi një dobësi në “ADN-në e futbollit anglez”, duke këmbëngulur se skuadra e tij nuk është në gjendje ta kontrollojë lojën në të njëjtën mënyrë si Argjentina apo Spanja.

Megjithatë, 20 minutat e fundit të ndeshjes shtuan edhe më shumë dyshimet nëse 52-vjeçari është personi i duhur për ta udhëhequr Anglinë në të ardhmen.

Sipas raportimeve, Federata Angleze e Futbollit vazhdon ta mbështesë Tuchelin për ta drejtuar ekipin deri në Euro 2028, por nëse ndryshon qëndrim, Wayne Rooney beson se vetëm Pep Guardiola duhet të jetë pasuesi i tij.

“Nuk shoh askënd tjetër për momentin, përveç nëse arrin ta marrësh Pep Guardiolën”, tha ish-sulmuesi i Manchester Unitedit në emisionin “Wayne Rooney Show”.

“Nëse Pep është i disponueshëm, atëherë duhet të shkosh ta marrësh. Mendoj se ai është një trajner i klasit botëror dhe ajo që bëjnë trajnerët më të mirë është se mësojnë nga gabimet, përmirësohen dhe bëhen edhe më të fortë. Nëse e shkarkojmë Tuchelin, cilët trajnerë do të sjellim? Nuk besoj se ka dikë më të mirë se Thomas Tuchel, përveç Guardiolës. Por problemi më i madh për mua është se ai nuk ka përvojë në Kupat e Botës. E njëjta gjë ndodhi edhe me Fabio Capellon. Kupa e Botës është ndryshe dhe duhet ta përjetosh atë atmosferë. Tani ai e ka përjetuar”, tha ai.

Raportimet thonë se Anglia kishte arritur një marrëveshje verbale me Guardiolën dy vite më parë, por trajneri spanjoll vendosi të qëndronte edhe një sezon te Manchester City.

Gjashtë muaj më vonë, Tuchel u emërua zyrtarisht në janar të vitit 2025 dhe aktualisht pritet të mbetet në detyrë të paktën deri pas Euro 2028.

Anglia ishte vetëm pak minuta larg finales së saj të parë në Kupën e Botës pas 60 vitesh, por u shemb në dhjetë minutat e fundit të takimit.

Shumëkush në stadium dhe para ekraneve e pa se çfarë po vinte, por jo edhe Tuchel. Edhe mbrojtësi Marc Guehi mbeti i habitur me vendimet taktike të trajnerit në pjesën e dytë.

“Duhej të vazhdonim. Duhej të vazhdonim të sulmonim. Më dukej sikur sapo shënuam, mentaliteti ynë u bë: të tërhiqemi dhe të mbrohemi”, deklaroi Guehi.

Më pas ai u pyet nëse beson se ky grup lojtarësh mund ta fitojë më në fund një trofe për Anglinë.

“Nuk e di. Nuk e di. Është e vështirë të mendoj për të ardhmen tani. Në këtë moment ndiej vetëm zhgënjim. Vetëm kaq”, u përgjigj shkurt mbrojtësi i Manchester Cityt.

Fakti që edhe vetë lojtarët po vënë në dyshim taktikat e Tuchelit tregon shumë, ndërsa tashmë detyra e trajnerit gjerman është të rikthejë besimin brenda skuadrës.


Burimi: 04online

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit