E diel, 9 Gusht 2026

Christopher Nolan e ndërton “Odisenë” mbi disa nivele kuptimi. Ideja më e dukshme lidhet me fajin dhe përgjegjësinë e tij morale. Filmi sugjeron se udhëtimi i heroit nuk është vetëm një kthim fizik në Itakë, por një proces ndërgjegjësimi.
Osidea duhet të përballet me pasojat e mashtrimit të Kalit të Trojës, një veprim që ai e sheh si shkelje të një ligji të pashkruar që mbante të bashkuar botën e lashtë.
Greket e paraqitën Kalin e Trojës si një dhuratë, por në të vërtetë ai ishte një akt tradhtie dhe dhune. Për Nolan, kjo lidhet me shkeljen e besimit dhe të marrëveshjeve që mbajnë në këmbë shoqëritë.
Shkatërrimi i Trojës bëhet një metaforë për krizën e rendit ndërkombëtar modern, ku prishja e rregullave të përbashkëta mund të çojë në pasoja shkatërruese. Por filmi ofron edhe një lexim tjetër, më të fshehtë.
Që në fillim shfaqet fjalia: “Në një epokë të magjisë së dukshme!”. Ky është një sinjal se ajo që shohim si magji mund të jetë diçka tjetër. Edhe pse filmi është plot me përbindësha dhe përmend vazhdimisht perënditë, ato në fakt nuk shfaqen kurrë si qenie reale.
Atena, të cilën Osidea e sheh dhe me të cilën flet gjatë udhëtimit, mund të jetë një krijim i mendjes së tij. Në fund kuptohet se ai mund t’i ketë dhënë formën e një vajze trojane, Kasandrës, zërit të tij të brendshëm.
Ky interpretim lidhet me teorinë e “mendjes dydhomëshe” të psikologut Julian Jaynes, sipas së cilës njerëzit e lashtë mund t’i përjetonin mendimet e tyre si zëra të jashtëm, duke i atribuar ato perëndive.
Kjo ide lidhet me një temë të përsëritur në filmat e Christopher Nolan: kufiri i paqartë mes realitetit dhe iluzionit. Në “Memento”, protagonisti mashtron veten; në “Inception”, personazhet luftojnë për të dalluar realitetin nga ëndrra; në “The Prestige”, mashtrimi është pjesë e profesionit të tyre.
Një tjetër ide e rëndësishme në filmat e Nolan është se kërcënimi më i madh nuk vjen nga “të tjerët”, por nga vetë njerëzit. Në “Interstellar”, alienët rezultojnë të jenë njerëzit e së ardhmes.
Edhe tek “Odisea”, nuk ka një armik të jashtëm që shkatërron qytetërimin grek: vetë grekët janë përgjegjës për fatin e tyre.
Edhe IOdiesa përshtatet me figurën tipike të heroit të Nolanit: një njeri jashtëzakonisht inteligjent, por i rënduar nga faji. Ashtu si Batmani apo Robert Oppenheimeri, ai është një person që duhet të jetojë me pasojat e veprimeve të tij.
Për këtë arsye, disa veprime të tij në film paraqiten si forma vetëshkatërrimi. Kur plagos Polifemin edhe pasi është larguar prej tij, ai e bën jo nga nevoja, por nga zemërimi dhe krenaria. Ky veprim sjell hakmarrjen e Poseidonit.
Po ashtu, kur ha me dëshirë lulen e lotusit, ai praktikisht heq dorë përkohësisht nga dëshira për t’u kthyer në shtëpi. Vetëm kur përballet me fajin dhe pranon përgjegjësinë mund të rikthehet.
Një nga ndryshimet më të mëdha nga poema e Homerit është mënyra si filmi trajton Kalin e Trojës. Në traditën klasike ai është një mashtrim i zgjuar që sjell fitoren e grekëve; te Nolan ai bëhet një veprim për të cilin Ulisi duhet të pendohet.
Kjo lidhet me një tjetër temë të regjisorit: historitë që njerëzit tregojnë nuk janë gjithmonë të vërteta.
Në film, rrëfimet për Odisean shpesh janë të ndryshuara, të zbukuruara ose të rreme. Por Nolan nuk sugjeron se kjo është domosdoshmërisht diçka negative.
Përkundrazi, filmi argumenton se tregimet janë gjithmonë interpretime të realitetit. Ato ndryshojnë me kalimin e kohës dhe marrin forma të reja.
Në fund, “Odissea” e Nolan është edhe një reflektim mbi vetë kinemanë: mënyrën se si njerëzit krijojnë mite, kujtojnë të kaluarën dhe ndërtojnë histori. E vërteta dhe shpikja nuk janë gjithmonë kundërshtare. Shpesh historia njerëzore ekziston pikërisht në hapësirën mes tyre. tesheshi.com
Burimi: tesheshi
