Kuvendi vazhdon seancën, në rend dite edhe votimi i Ligjit për Specialen


E premte, 13 Nëntor 2026
Kuvendi vazhdon seancën, në rend dite edhe votimi i Ligjit për Specialen

Kuvendi i Kosovës ka nisur vazhdimin e seancës plenare të ndërprerë një ditë më parë, ku ndër pikat e fundit të rendit të ditës është edhe shqyrtimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ky projektligj është përfshirë në rend dite pas një mocioni procedural të paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka kërkuar që Kuvendi të votojë për rrëzimin e vetos së presidentes Justina Shiroka-Pula.

Presidentja e kishte kthyer më herët ligjin në Kuvend, pas kërkesës së vetë PDK-së për ndryshime në përmbajtjen e tij.

Megjithatë, kjo parti më pas kërkoi që të miratohej versioni i njëjtë i ligjit, me synimin që ndryshimet të bëhen përmes një procesi të mëvonshëm të amendamentimit.

Gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje në Komisionin për Legjislacion, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, deklaroi se partia e tij mbështet opsionin që vetoja e presidentes të mos rrëzohet dhe procesi i hartimit të ligjit të nisë nga e para.

Seanca ishte ndërprerë të enjten, pasi deputetët nuk ishin kthyer në sallë për vazhdimin e punimeve në orarin e paraparë.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kishte kritikuar mungesën e tyre dhe kishte njoftuar se punimet do të vazhdonin sot në orën 11:00.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit