E premte, 16 Janar 2015
Prishtinë – Turqia premton bashkëpunim të mëtutjeshëm me Kosovën, në të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve shëndetësore.
Turqia premton bashkëpunim të mëtutjeshëm me Kosovën, në të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve shëndetësore, përfshirë edhe ndihmën në trajtimet e pacientëve sipas marrëveshjes që kanë me MSh-në.
Këtë e ka deklaruar ambasadorja e këtij shteti në Kosovë, Songül Ozan gjatë një takimi që pati me ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmani.
Në takim u bisedua për vazhdimin e bashkëpunimit në sektorin e shëndetësisë në mes dy shteteve.
Ministri Rrahmani, tha se është i njoftuar për ndihmën e dhënë nga Turqia në të gjitha fushat, e në veçanti në atë të shëndetësisë, duke shtuar se kjo mbështetje është për t’u vlerësuar.
“Ne jemi të interesuar që Turqia, të na mbështesë me investime kapitale, trajtime shëndetësore për pacientët të cilët nuk mund të shërohen në vend dhe me trajnimin e profesionistëve shëndetësor kosovar në spitalet e vendit tuaj, në mënyrë që të ngrihen kapacitetet profesionale”, tha Ministri Rrahmani.
Në takim u bisedua edhe për projekte konkrete ku Republika e Turqisë do të mund të financonte për të ndihmuar shëndetësinë kosovare./RTK/