E shtunë, 26 Dhjetor 2015
Prishtinë – I pari i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, tha se shtyrja e liberalizimit të vizave do të sjell edhe të tjera probleme dhe vështirësi, përfshirë këtu edhe dialogun e Prishtinës me Beogradin.
Kryeministri Isa Mustafa paralajmëroi se nëse nuk u lejohet kosovarëve të lëvizin të lirë në shtetet e Shengenit, atëherë as ai dhe as kabineti i tij nuk mund të udhëtojnë, duke lënë të nënkuptohet se nuk do të udhëtojë as për në Bruksel, ku edhe zhvillohen takimet e dy qeverive, të Kosovës dhe Serbisë.
“Pesëmbëdhjetë ditëshi i parë i janarit do të sjell rezultate konkrete nga grupet teknike që po merren me përmbushjen e kritereve të pa plotësuara në 8 pikat e mbetura që i hapin rrugë Kosovës për liberalizim të vizave”, tha në një intervistë për KosovaPress, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Ai shtoi se është punuar me një përkushtim shumë të madh në plotësimin e të gjitha kritereve për liberalizim të vizave, prej 95 kritereve vetëm 8 kanë mbetur pa u përmbushur plotësisht, dhe për to tashmë janë bërë analizat dhe grupet teknike kanë afatet për përmbushje të këtyre kritereve.
Megjithatë, kryeministri i vendit mendon se Kosovës i janë vënë standarde të dyfishta nga BE-ja në kërkesën për liberalizim të vizave për kosovarët, dhe kjo, sipas tij, është e padrejtë.
Ai thotë se Kosovës nuk duhet t’i bëhet kjo e padrejtë, duke i lënë gati dy milionë qytetarë të izoluar dhe në jetë ndryshe nga i gjithë Ballkani dhe më gjerë.
Se a është ky vendim i drejtë apo jo i BE-së, sipas kryeministrit Mustafa kjo është çështje tjetër, për të cilën ai nuk preferon ta diskutoi më shumë duke kujtuar se lëshime të mëdha ka bërë BE në shtetet tjera, ndërsa me Kosovën kjo nuk po ndodh.
Mustafa thotë se Kosova ka marrë përgjegjësitë për përmbushjen e këtyre rekomandimeve të mbetura, por ai kërkon që edhe BE-ja të marri përgjegjësitë e saja dhe të mos e zgjasë këtë çështje si punën e lojërave me “llastik”.
Kryeministri Mustafa tha se liberalizimi i vizave për kosovarët do të jetë shans e mirë për të gjithë qytetarët të cilët do ta shfrytëzojnë lëvizjen e lirë për t’u arsimuar, për të parë Evropën dhe për të mësuar nga, siç tha ai, demokracia dhe ekonomia evropiane.
Mustafa lëvizjen e lirë e sheh edhe si mundësi të mirë për bizneset të cilëve u mundëson ta shfrytëzojnë marrëveshjen për Stabilizim Asociimin, për bashkëpunimin ekonomik dhe për pjesëmarrje në tregjet e jashtme, në panaire edhe në kontakte të përgjithshme me bizneset jashtë vendit.
I pari i qeverisë megjithatë nuk i frikësohet ikjes së qytetarëve nga vendi për në shtetet e Evropës, në kërkim të një jete më të mirë.
Ai kujton se si edhe qytetarët që kanë ikur në fillim të këtij viti tashmë po kërkojnë të kthehen në Kosovë.
Mustafa tha se relacionet migruese janë relacione që zhvillohen edhe ndërmjet vendeve të Bashkimit Evropian, duke kujtuar se shumë qytetarë sot migrojnë nga Italia për në Gjermani, të tjerë migrojnë në Zvicër, varësisht ku gjejnë kushte më të mira të punës, mirëpo kjo nuk do të thotë se e rrezikon tregun e punës ose e rrezikon stabilitetin.
Sipas kryeministrit Mustafa stabiliteti rrezikohet vetëm duke izoluar një vend nga pjesa tjetër e Ballkanit dhe Evropës.
Etiketa: Isa Mustafa, Kosova, Liberalizimi