LDK e lë në terr informativ Adem Salihajn


E diel, 21 Maj 2017

“Nuk kam asnjë informatë zyrtare të konfirmuar lidhur me listën e LDK-së për deputetë”, ka shkruar Salihaj, në Fb.

LDK s’e ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë derisa është konfirmuar se jashtë saj ka mbetur Shpejtim Bulliqi, i cili kishte kundërshtuar versionin e Qeverisë për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Sidoqoftë, Adem Salihaj thotë se nuk beson se LDK bën diferencime.

“Po spekulohet shumë për diferencime, por nuk dua të besoj se partia ime e vlerave të mëdha demokratike do të bëjë diferencime të tilla, sepse ato, para së gjithash , do ta dëmtonin shumë vetë LDK-në në procesin zgjedhor që është para nesh”, ka shkruar Salihaj.

Ndërkohë që partia e Salihajt ende nuk e ka bërë publike listën me emrat e deputetëve që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë. Është raportuar se Avdullah Hoti është prijës i listës, Vjosa Osmani është në numrin 81 si dhe Arben Gashi në numrin 61.

Kosova po hyn në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 11 qershor pas rënies së Qeverisë nga një mocion mosbesimi në Kuvend dhe shpërbërjes së institucionit ligjvënës

Adem Salihaj para se të bëhej deputet ishte emëruar Drejtor i Stacionit të Autobusëve në Ferizaj pasi LDK kishte marrë pushtetin në këtë komunë.

Salihaj për një kohë ishte larguar nga LDK’ja duke u bërë Nënkryetar i LDD’së së Nexhat Dacit.

Në Qeverinë e koalicionit, LDK-AAK, e lidhur në kohën e Ibrahim Rugovës, Salihaj kishte mbajtur edhe pozitën e Zëvendëskryeministrit.

Zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme mbahen më 11 qershor derisa partitë politike kanë dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë të premten e kaluar. Kanë kohë deri të hënën të bëjnë korrigjime, ku pastaj KQZ do të certifikojë versionin përfundimtar të kandidatëve të partive për deputetë.

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit