Rama: Zhurmë e opozitës për të përçuar frikë


E premte, 20 Dhjetor 2013

Tiranë, 20 dhjetor – Në një takim me qytetarë në Tiranë, i shoqëruar edhe nga ministri i Mjedisit, Lefter Koka, dhe ai i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, kryeministri shqiptar hodhi poshtë zërat e dëshpëruar, siç tha ai, që kërkojnë të mbjellin panik se do të rriten një serë çmimesh.

“Zhurma përpiqet të përçojë tek njerëzit një frikë nga një apokalips që na pret për shkak se çmimi i naftës do të shkojë në stratosferë, do rriten çmimet e bukës, ushqimeve, çmimet e çdo produkti, dhe në fund fare do të bëhet i papërballueshëm çmimi i jetesës, dhe Shqipëria do të bjerë në humnerë. Kjo është një përpjekje e dëshpëruar për të mjegulluar sa më shumë pamjen e publikut, mbi një sërë ndryshimesh rrënjësore në kulturën e qeverisjes, në qasjen e qeverisë ndaj ekonomisë dhe ndaj financave, ekonomisë familjare dhe ekonomisë kombëtare, në kurajën e qeverisë për ta parë në sy realitetin që na e kanë lënë ata që deri dje e zhytën Shqipërinë në borxhe, e zhytën Shqipërinë në papunësi, varfëri”, tha ai.

Sipas Ramës, është e pavërtetë që rritja prej 10 lekë, që i bëhet taksës së qarkullimit, pra që i bëhet taksës që e paguajnë ata që kanë mundësi të kenë një makinë, do të sjellë rritje të çmimeve të ushqimeve dhe rritje të përgjithshme mbytëse të çmimit të përgjithshëm të jetesës.

“Kush flet, ata që kur morën administrimin e kësaj shtëpie e kishin 600 lekë çmimin e naftës dhe kur e lanë në prag të djegies e lanë 1 800 lekë. Për 10 lekë që shtohen, nuk ka asnjë impakt, por përkundrazi shtohen për të financuar shërbimin ndaj qytetarëve për mjedis më të pastër, sepse kjo është një taksë e vendosur qysh në krye të herës, dhe një taksë që në të gjitha vendet normale, ku dhe ne duam të shkojmë, i shërben mjedisit, pastrimit të ajrit, uljes së trafikut dhe shëndetit publik, dhe nuk shkon si barrë në xhepat e atyre që nuk marrin makinën për të bërë xhiro në bulevard apo në distanca shumë të shkurta, apo për të lëvizur, por shkon në xhepat e atyre që kanë mundësi. Është një taksë që dekurajon lëvizjen me makinë nëpër qytet, në të mirë të shëndetit publik”, theksoi kryeministri.

Rama tha po ashtu se taksa mbi fitimin e kompanive të mëdha do të rritet, sepse ato fitojnë më shumë dhe do të paguajnë më shumë.

Etiketa: ,
Të fundit