E enjte, 11 Tetor 2018
Prizren – Prokuroria Themelore në Prizren, pas pranimit të 51 kallëzimeve penale nga Kompania për Menaxhim të Infrastrukturës Hekurudhore – “INFRAKOS SH.A”, ka trajtuar dhe hetuar të gjitha këto kallëzime penale, dhe pas koordinimit të veprimeve të nevojshme hetimore ka ngritur 27 aktakuza kundër 27 personave, për veprat penale: “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme” nga neni 332 paragrafi 2 dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” neni 333 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Nga të gjitha lëndët e pranuara, në 6 prej tyre janë hudhë kallëzimet penale, ndërsa 18 lëndë janë ende në punë, për të cilat Prokuroria në Prizren, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Gjithashtu, Departamenti për Krime të Rënda ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve për 13 persona për shkak të dyshimit të arsyeshëm se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 i Kodit Penal, si dhe për veprat penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” nga neni 368 paragrafi 1 dhe “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme” nga neni 332 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me lëshimin e lejeve ndërtimore në afërsi të pronës së Hekurudhës, duke mos respektuar distancën e duhur nga binarët, sipas Ligjit për Hekurudhat e Kosovës.
Etiketa: Aktuale, Gjykata Themelore, Hekurudhat e Kosovës, Prizren