Janari, muaj me plot dhimbje e plagë edhe për shqiptarët e Sanxhakut!


E hënë, 20 Janar 2014

Autor: Ismet AZIZI

Në janarin e 1945 atë që nuk arritën ta bëjnë çetnikët e Drazha Mihajloviqit ndaj popullatës së Sanxhakut të Pazarit të Ri, gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, e bëri pushteti “popullor” serbokomunist, të cilët në muajt e parë nga marrja e pushtetit, ekzekutuan rreth 2000 përsona shumica e tyre shqiptarë në krye me udhëheqësin politik e ushtarak të Sanxhakut Aqif Blytën.

Aqif Blyta, (Aqif Haxhiahmetoviq 1887- 21.01.1945 (kur edhe u pushkatua nga OZNA), populli i Sanxhakut të N. Pazarit e njeh si Aqif-efendia.

Aqif Blyta është njëri ndër politikanët dhe patriotët shqiptarë të Sanxhakut të Pazarit të Ri ndërmjet dy luftërave Botërore dhe gjat Luftës së Dytë Botërore. Aqif Blyta ishte veprimtar i shquar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe deputet në Kuvendin Kombëtar në Tiranë (1943-1944). Aqif-efendia është më i merituari në mbrojtjen e N. Pazarit nga sulmet dhe shfarosjet çetnike.

Aqif efendiu është lindur në N. Pazar në vitin 1887. Në N. Pazar babi i tij Emin-agë Blyta kishte ardhur nga Gjakova. Aqif Blyta ka kryer akademinë ushtarake në Manastir, në të njëjtën akademi ku kishte studiuar edhe kryetari turk Mustafa Kemal Atatürk. Me kryrjen e akademisë kishte arritë gradën e kapitenit. Në shtetin e ri të Mbretërisë Jugoslave, Haqif Blyta ishte një ndër të parët në formimin e Partisë Xhemijeti të myslimanëve shqiptarë. Xhemijeti bashkonte myslimanët dhe shqiptarët. Në verën e vitit 1919, në Shkup, mori pjesë në Kongresin themelues të organizatës ”Xhemiet” (Bashkimi). U shqua si aktivist i asaj organizate dhe u zgjodh sekretar. Më 1920 u zgjodh kryetar i bashkisë së Pazarit të Ri. Pasi që nuk pranuan të jenë nën diktatin e mbretit Aleksandër dhe të Nikolla Pashiqit, Xhemijetit në vitin 1924 i ndalohet veprimtaria. Që nga ky vit e deri në vitin 1990 shqiptarët dhe popujt tjerë joserb nuk kanë patur parti të tyre politike.

Në zgjedhjet parlamentare të viteve 1920, 1925, 1927, 1933, 1935 dhe 1938, ndonëse ishte përfaqësues më në zë i popullsisë së trevës së Sanxhakut, për shkak të manipulimeve dhe grabitjes së votave nga autoritetet serbe, nuk u zgjodh deputet i parlamentit të Mbretërisë Serbo Kroate Sllovene, përkatësisht të Mbretërisë së Jugosllavisë (1929-1941). E arriti atë vetëm në zgjedhjet e vitit 1923. Në parlamentin jugosllav u shqua si përkrahës e bashkëpunëtor i afërt i Ferhat Dragës; kundërshtar i vendosur i politikës së ndjekur nga qarqet serbe, për shpronësimin dhe shpërnguljen me dhunë të popullit shqiptar.

Populli i Sanxhakut i është mirënjohës posaçërisht për shkak të angazhimit të tij në pengimin e shpërnguljes së popullsisë nga Sanxhaku për Turqi. Aqif Blyta duke qenë personaliteti më i rëndësishëm i organizim ushtarak dhe politik ishte në shënjestër të tri atentateve të organizuar. Për dy atentatet e parë ishin përgjegjës nacionalistët serbomëdhenj nga Beogradi, ndërsa për atentatin e tretë kanë qenë komunistët vendas të Sanxhakut të cilët për ekzekutues kishin caktuar Hasë Rozhaja të cilët më në fund ishin tërheqë nga ky vendim. Kah fundi i vitit 1941 organizon mbrojtjen e N. Pazarit nga çetnikët të cilët vinin nga Rashka. Qëllimi i çetnikëve ishte marrja e N. Pazarit dhe mandej e tërë Sanxhakut me qëllim të shfarosjes së popullsisë shqiptare dhe myslimane. Ngjarjet që u zhvilluan tutje treguan se Aqif Blyta me ushtrinë e tij të formuar dhe me ndihmën e njësive nga Peshteri dhe me ndihmën që i arriti nga vëllezërit kosovar nën udhëheqjen e Shaban Polluzha arritën të mbrojnë këto territore nga çetnikët.

Pas depërtimit të forcave partizane jugosllave në ato treva, iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët e dërguanuan në Pazarin e Ri. Mbas torturave mizore, bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë Ahmet Dacën ( të cilin e kishte bashkëshortë të motrës) me tre djemtë e tij u pushkatuan në Haxhet ( lagje e sotme e Pazarit të Ri) me 21 janar 1945 nga OZN-a jugosllave. Aqif Blyta ishte i martuar me Mahijen nga Gjakova me të cilën nuk lan pasardhës. Megjithate ata birësuan dy fëmijë që i sollën nga Gjakova, një djalë me emrin Qamil dhe një vajzë të quajtur Mejreme.

Më 11 maj me rastin e krijimit të Këshillit Popullor të Sanxhakut, u morr vendimi për rehabilitimin e Aqif Blytës dhe të tjerëve. Pas aprovimoit të ligjit të ashtuquatur për rehabilitim më 17.02.2007 kryetari i Këshillit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Sanxhakut, Esad Xhuxheviq ndërmjet mediave kërkoi nga oraganet shtetërore ta rehabilitojnë Aqif Blytën i cili ishte i dënuar politikisht nga pushteti i atëhershëm. Po ashtu është paralajmëruar për fillimin e procedurës gjyqësore pran gjyqit të qarkut në Novi Pazar në lidhje me këtë çështje. Ngjarjet aktuale tre viteve të fundit, dhe bllokimi i veprimit së Këshillit Popullor të Sanxhakut kanë shkaktuar ndërprerjen e këtij procesi.

Për ta nderuar përsonalitetin e Aqif Blytës në shëtitoren e këmbësorëve në qendër të qytetit të Pazarit të Ri (Novi Pazar) është vendosur pllaka përkujtimore. Pllaka përkujtimore është vendosur me vendimin e Këshilli Kombëtar Boshnjak (boshnjakisht: Bošnjačko nacionalno vijeće), mandej në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe ministri në qeverinë e Serbisë Sulejman Uglanin dhe Sekretari shtetëror në Ministrinë e Arsimit Muhedin Fijuljanin, që të dytë nga ky qytet, e që për mediat serbe ky ishte një skandal.

Në lidhje me kërkesat e pushtetit serb për ta larguar pllakën përkujtimore, në shatorin e viti 2011, Presidenti KKB Esad Xhuxheviq, me këtë rast kishte deklaruar se “paneli do të mbetet, edhe pse qeveria ka mjete për ta larguar me forcë panelin e Aqif Effendiut”.

Mandej Xhuxheviq për ta argumentuar mendimin e tij vazhdoi: “Ai për ne është një figurë e padiskutueshme historike. Nëse dikush mund të na bindin ndryshe, ne jemi të gatshëm për të biseduar. Ndërsa panelin nuk e heqim”. Këto ishin fjalët e njeriut kyq sa i përket këtij rasti, të cilat ende qëndrojnë, transmetoni mediat e Sanxhakut.

Çdo gjë tjetër mbeti e njëjtë dhe askush nuk beson se pllaka përkujtimore të hiqet ndonjëherë, përkundër presioneve të shetit serb. Shpresojmë se në një të ardme të afërt do ti shkoj mendja institucioneve tona shtetërore këtë përsonalitet të shquar ta përkujtojnë në atë formë qfar edhe meriton.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa:
Të fundit