E enjte, 27 Shkurt 2014
Munih, 27 shkurt – Shefi ekzekutiv i Bayernit të Mynihut i është mirënjohës Pep Guardiolës, për të cilin jep vlerësimet maksimale për sukseset e fundit dhe rritjen e popullaritetit të bavarezëve. Ish tekniku i Barçës zëvendësoi Heynckes pas një sezoni historik për gjermanët me 3 trofe të fituar dhe Rummenigge deri tani është i impresionuar me punën e bërë nga Guardiola.
“Bayerni është me fat që ka një njeri të tillë në skuadër. Pep kombinon kualitetin me punën në një mënyrë të pakrahasueshme. Cdo gjë që duket e lehtë për publikun është produkt i punës së madhe që bëhet në ekip nga e Hëna në të Premte. Intensiteti në stërvitje, diçka që unë e shikoj çdo ditë nga dritarja e zyrës sime, është vërtet mbresëlënës dhe nuk është rastësi që po shkruajmë historinë”.
Kjo ishte njëra anë e punës së Guardiolës, për të cilat mori me të drejtë elozhet nga Rummenigge. Më tej drejtuesi i lartë i klubit gjerman tha se spanjolli duhet vlerësuar për respektin ndaj kundërshtarit dhe në këtë rast nuk është dëgjuar asnjë fjalë e vetme arrogante nga goja e tij. Edhe popullariteti i Bayernit nuk kanë qënë kurrë më parë në këto nivele dhe sërish medalja shkon për Guardiolën, nënvizoi në fund Rummenigge.
Etiketa: Bayern Munich, Bundesliga, Karl-Heinz Rummenigge, Pep Guardiola