E premte, 28 Shkurt 2014
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi thotë se në aspektin e shpenzimeve të parasë publike, Qeveria nuk mund të jetë e lirë derisa ka 20 ministri, 5-6 zëvendëskryeministra e mbi 40 zëvendësministra si dhe 33 institucione të pavarura. Shkon edhe më tej, thotë se “nuk mund të jetë efikase kur aty nuk e njeh qeni t’zotin”.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Krasniqi ka thënë se nuk ka dhe nuk mund të ketë qeverisje të mirë pa dije, pa drejtësi, pa dashuri e pa përkushtim për vendin e kombin.
“Prandaj, ne, në Kosovë na duhet domosdo qeverisja e mirë dhe e lirë (e lirë në përputhje me standardin e qytetarëve të vendit tonë dhe me mundësitë buxhetore të vendit)”, shkruan ai.
Krasniqi madje ka shkruar edhe si mund të ketë qeverisje të mirë apo të përgjegjshme.
“Aty ku qeveria përmes procedurave transparente e ligjore krijon mundësi për rritjen e qëndrueshme ekonomike e cila pastaj ndikon në kualitetin e jetës dhe të mirëqenies se qytetarëve. Aty ku qeveria merr vendime të drejta politike e ligjore në favor të zhvillimit, të privatizimit, të arsimit, të shëndetit dhe të punësimit etj., dhe aty ku qeveria vendos një drejtësi shoqërore dhe paqe të qëndrueshme për të gjithë e pa asnjë dallim njerëzor, kombëtar, gjuhësor e kulturor”, shkruan Krasniqi. /Telegrafi/