E premte, 28 Shkurt 2014
Shkup, 28 shkurt – Standardi “Hallall”, nga një urdhër fetar sipas të drejtës së sheriatit islam është transformuar tashmë në një markë me një sukses të jashtëzakonshëm në Evropë e në botë.
“Nisur nga fakti se standardi Hallall është trend dhe nevojë e qytetarëve në vend dhe më gjerë, Bashkësia Fetare Islame në vitin 2013 themeloi Agjencionin për Standardin Hallall, si një sektor të rëndësishëm në kuadër të Rijasetit të BFI-së,përmes së cilës shoqëria në këtë vend do të ketë mundësi që mbarë prodhimet dhe produktet të licencuara me ‘Hallall’,t’i konsumoj duke mos pasur frikën nga ndonjë ndalesë fetare.
Prodhimi ‘Hallall’ sot nuk kufizon vetëm në prodhimin e industrisë së ushqimeve, restorantet, dyqanet e vogla, por ai ka marrë një koncept më të gjerë si kozmetikën, farmaceutikën, mjekësinë, bio-teknologjinë, turizmin, transportin, financën, modën e televizionin.
Andaj, me implementimin e këtij standardi ofrojmë shëndet jo vetëm për komunitetin mysliman por edhe për komunitet tjera gjegjësisht ithtarëve të feve tjera, sepse Standardi Hallall është kontabël me të gjithë standardet tjera ndërkombëtare si ISO dhe HACCP dhe nuk bie në kundërshtim me asnjë rregull të feve qiellore”, tha zëdhënësi i BFI-së Abaz Islami.
Sipas tij, aktualisht vendi disponon me shumë kompani prodhuese dhe importuese të mallrave dhe gjërave ushqimore, por BFI është institucion që kujdeset në të gjitha dimensionet e jetës për anëtarët e saj dhe më gjerë, pikërisht aty janë interesat që mund t’i ketë shteti dhe kompanitë vendase në nivelin ndërkombëtar.
Agjencioni për “Hallall” standardin shtoi ai është anëtare e shumë institucioneve dhe këshillave ndërkombëtare, por gjithashtu kemi bashkëpunime me vende nga lindja e afërt, largët si dhe ato të Afrikës Veriore./zhurnal/