E hënë, 22 Gusht 2022
PRISHTINË – I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak pritet të vizitojnë këtë javë Prishtinën dhe Beogradin.
Radio Evropa e Lirë ka marrë vesh nga burimet diplomatike në Bruksel, se Escobar dhe Lajçak do të qëndrojnë të martën në Prishtinë.
Sipas këtyre burimeve, ata do të bëjnë përpjekje për të bindur palët që të arrijnë marrëveshje për tejkalimin e tensioneve në veri të Kosovës si dhe për çështjen e targave të veturave dhe dokumentet serbe.
Në takimin e fundit të nivelit të lartë në Bruksel, që është mbajtur më 18 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk kanë arritur marrëveshje për këto çështje.
Megjithatë burimet e BE-së kanë thënë se “do ta vazhdojnë punën intensive në kërkim të zgjidhjes” dhe se “derisa të mos arrihet zgjidhja, nuk do ta konsiderojnë këtë rund të dialogut si të përfunduar”.
Në Bruksel, diplomatët pranojnë se ka hapësirë për rritjen e tensioneve, prandaj edhe duan që të dyja palët të jenë të përgjegjshme, të kërkojnë zgjidhje dhe të evitojnë sjelljet që mund të shkaktojnë përshkallëzim të situatës.
Në BE e kanë përsëritur se “nuk duan të shohin në Kosovë, skena çfarë janë parë në fund të muajit korrik dhe fillim të muajit gusht”.
Fakti se Escobar dhe Lajçak pritet të shkojnë së bashku në Beograd dhe Prishtinë, shihet si dëshmi se BE-ja dhe SHBA-ja po punojnë së bashku në drejtim të arritjes së një zgjidhjeje për çështjet e targave dhe dokumenteve serbe.
Etiketa: Aktuale, Gabriel Escobar, Miroslav Lajčák